IPK nis hetim ndaj policëve në rastin e vrasjes së 18-vjeçarit
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetim për të mbledhur informacione mbi veprimet e zyrtarëve policorë, në rastin e vrasjes së 18-vjeçarit nga Podujeva.
Nga Klinika e Intensives kanë treguar se viktima kishte lëndime të rënda e gjakderdhje në kokë, por s’kishin parë plagë therëse.
Arbër Beka nga IPK-ja i ka thënë portalit rtv21.tv ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin prëveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së. Me respekt; Inspektorati Policor i Kosovës”, ka thënë Beka për portalin rtv21.tv
“Podujevë 14.01.2024-13:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh, të dërguar ditë më parë.
18-vjeçari L.F ka vdekur më 21 janar derisa po trajtohej në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK)./21Media