IPK-Sindikatës së Policisë: Ka prova, i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale

Inspektorati Policor i Kosovës – IPK, i ka reaguar Sindikatës së Policisë pasi kjo e fundit i cilësoi arrestimet e policëve si të pabazuara e pa asnjë provë.
IPK ka thënë se operacioni Pika 1 dhe Pika 2 janë më të suksesshmet të realizuara në luftimin e korrupsionit.
“Inspektorati Policor i Kosovës duke ju referuar komunikatës për medie që ka lëshuar sot në orët e pasdites Sindikata e Policisë, deklaron se Operacioni Pika 1 dhe Pika 2 është një ndër operacionet më të suksesshme të realizuara në luftimin e korrupsionit. Të gjitha veprimet në kuadër të këtij hetimi janë ndërmarrë sipas udhëzimeve dhe në koordinim të plotë të Prokurorisë së Shtetit, duke përfshirë edhe arrestimet e secilit prej tyre”, thuhet në reagimin e IPK-së.
IPK më tej ka thënë se për këtë rast ka prova dhe se të njëjtat janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale.
“Sigurisht që për këtë rast ka prova dhe të njëjtat janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale. Sidoqoftë provat nuk  mund tua prezantojmë Sindikatës së Policisë. Shumica e veprimeve inkriminuese të zyrtarëve policorë të dyshuar në këtë rast janë të dëshmuara më zë dhe figurë. Është kompetencë e prokurorit të vlerësoj dhe vendos më tutje vazhdimin e procedurave penale për secilin prej të dyshuarve në këtë rast”, vazhdon reagimi i IPK-së.
“IPK siç parashihet edhe me Kodin e Procedurës Penale u ka dhënë mundësinë dhe të gjithë të dyshuarit në këtë rast janë mbrojtur dhe mbrohen nga avokatet e tyre sipas procedurës. Ne kemi qenë dhe jemi të shqetësuar për nivelin e korrupsionit në Polici dhe do të shtojmë intensitetin e luftës ndaj këtij fenomeni që minon besimin në policinë tonë. Besojmë fuqishëm që edhe Policia e Kosovës e ka këtë synim dhe e mbështet IPK-në siç e ka bërë deri tani në këtë mision të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, përfundon IPK./21Media

Back to top button