Ippon Peja dominon Kampionatin e Kosovës për Senior 2026 në xhudo

Kampionati i Kosovës për Senior 2026 në xhudo u mbajt më 18 janar në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, duke mbledhur klubet kryesore të vendit dhe garuesit më të mirë në konkurrencën e meshkujve dhe femrave. Garat u zhvilluan nën organizimin e Federatës së Xhudos së Kosovës në bashkëpunim me Judo Team Ippon Peja, ndërsa drejtësinë e ndanë gjyqtarët Zymer Zeka dhe Linda Cena.
Klubi i Xhudos “Ippon” Pejë u shpall më i suksesshmi i kampionatit, duke fituar gjithsej 11 medalje të arta, 5 të argjendta dhe 1 të bronztë, një dominim i qartë në shumicën e kategorive. Ippon triumfoi pothuajse në të gjitha peshat, si te meshkujt ashtu edhe te femrat, duke konfirmuar epërsinë e tij në xhudon kosovare.
Fituesit e vendeve të para përfshinë emra si Furkan Kelmendi, Dardan Cena, Dion Sharapolli, Anes Veseli dhe Shpati Zekaj te meshkujt, si dhe Erza Muminoviq, Fatjona Kasapi, Enise Zijade, Flaka Loxha, Laura Fazliu dhe Arba Hasanaj te femrat, ndërsa tituj arritën edhe Muhamedin Veseli dhe Tiara Bajrami nga klubi “Sankaku” i Fushë Kosovës.