Iranianët votojnë në zgjedhjet presidenciale

 
Qytetarët në Iran votojnë sot për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës Islamike.
Ebrahim Raisi, një klerik 60 vjeç i vijës së ashpër politike dhe udhëheqës i gjyqësorit, pritet të zëvendësojë presidentin Hassan Rohani, i cili ka shërbyer dy mandate.
Raisi ka qenë një nga gjykatësit iranianë në vitin 1988, i cili ka mbikëqyrur një seri gjyqesh të shpejta, në të cilat mijëra të burgosur politikë janë dënuar me vdekje dhe janë ekzekutuar.
Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se ai është fajtor për krime kundër njerëzimit.
Votimet zhvillohen në kohën e zemërimit në rritje për gjendjen e dobët të ekonomisë, e cila është goditur rëndë nga sanksionet amerikane, keqmenaxhimi i shtetit dhe pandemia e koronavirusit.
Pothuajse 600 kandidatë përfshirë 40 gra, u regjistruan në zgjedhje. Por në fund vetëm shtatë burra u miratuan muajin e kaluar nga 12 juristë dhe teologë në Këshillin e Ruajtjes të vijës së ashpër, një organ i pazgjedhur që ka vendimin përfundimtar në lidhje me kualifikimet e kandidatëve./21Media

Back to top button