Ish-deputeti Etem Arifi u lirua nga burgu

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, është liruar nga burgu.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.
“Po, me vendim të panelit për lirim me kusht, personi në fjalë është liruar dje në ora 16:00”, ka thënë Gashi për portalin rtv21.tv.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në vitin 2018 e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht, deputetin Arifi, pasi ai është shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.
Sipas aktakuzës, Etem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyre shumën prej 25.646.00 euro.
Ndonëse ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, vota e deputetit Etem Arifi u bë vendimtare më 3 qershor të vitit të kaluar kur u votua qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës./21Media

Back to top button