Ish-ministri i MTI-së: Vendimi i Endrit Shalës mund të zgjasë deri të martën tjetër

Hasani është shprehur skeptik për kohëzgjatjen e këtij vendimi

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili u lirua nga detyra më 5 shtator 2018, ka reaguar rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës prej 10 % për disa produkte që prodhohen nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Hasani  është shprehur skeptik për kohëzgjatjen e këtij vendimi, duke thënë se mund të zgjasë vetëm deri në javën e ardhshme.

“Në kohën sa isha ministër i Tregtisë dhe Industrisë, pata marrë disa masa ndaj shteteve fqinje për produkte që i dëmtonin prodhuesit tonë.  E keni shumë të freskët në kujtesë se këto vendime u kundërshtuan nga shumë ish-kolegë të mi nga kabineti qeveritar me arsyetimin se po i dëmtojmë marrëdhëniet me fqinjët dhe e shkelim marrëveshjen e CEFTA’së.  Më erdhi mirë kur po të njëjtit sot kërkuan masa ndaj Serbisë dhe Bosnjës.  Duke i njohur dyshoj shumë se këto masa do të jenë gjatë, mund të zgjasin vetëm deri të martën e ardhshme”, ka shkruar Hasani në Facebook.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e masave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky propozim erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Kryeministri, Ramush Haradinaj tha se me këtë masë tregtare çdo mall që hynë nga Serbia është i pa konkurrueshëm në tregun kosovar. Ndërsa, zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, vlerësoi se kjo masë tregtare mbron interesat shtetërore.

Back to top button