​Ismaili tregon pse u rriten kamatat për kredi dhe importi i mallrave

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka folur për pritjet ekonomike për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke theksuar projeksionet për rritjen ekonomike, zhvillimet në tregtinë e jashtme, investimet e huaja, remitencat, si dhe proceset e integrimit financiar të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë. I

Ismaili, ka shpjeguar faktorët që kanë ndikuar në rritjen e normave të interesit në kredi, duke theksuar se ato janë rezultat i kostos së fondeve, vlerësimit të rrezikut dhe dinamikave të tregut bankar.

Guvernatori Ismaili ka sqaruar se Banka Qendrore e Kosovës harton projeksionet e saj në mënyrë të pavarur, duke u bazuar në analiza dhe tregues të brendshëm, dhe se sipas këtyre vlerësimeve, rritja ekonomike për këtë vit pritet të jetë afër 4 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm rreth 4.1 për qind.

Ismaili në një intervistë për KosovaPress thekson se dallimet mes projeksioneve të institucioneve të ndryshme siç është Banka Botërore janë të pranueshme për shkak të metodologjive dhe faktorëve të jashtëm.

“Fillimisht më lejoni t’ju theksoj që BQK-ja bën projeksionet e veta të pavarura, mbi bazën e treguesve dhe analizave të saj të brendshme dhe ka projektuar që ky vit të përmbyllet me 3.9% ose afërsisht 4%. Ndërsa për vitin e ardhshëm parashihet që të jetë rreth 4.1%… Në varësisht nga metodologia që përdoret ose nga burimi i informacionit që merren në konsideratë, ne e rishikojmë herë pas here projeksionin tonë. Këto projeksione edhe mund të dallojnë sepse mund të vijnë nga baza të ndryshme, por megjithatë,devijimet e tilla, veçanërisht kur ka një numër të pasigurive ose faktorëve të jashtëm të cilët mund të ndikojnë në rezultat, janë të pranueshme. Prandaj, domethënë, fakti që parashikohet një rritje që është rreth 4%, nënkupton që është një mesatare e pranueshme. Pra devijime të tilla mund të ndodhin për shkak të metodologjive ose vlerësimit që e ka Banka Botërore në faktorë të caktuar të rrezikut”, thekson Ismaili.

Duke folur për zhvillimet në tregtinë e jashtme, Ismaili ka theksuar se ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet nga varësia e lartë nga importi, ndërsa eksportet kanë shënuar ngadalësim. Sipas tij, rritja e importeve ka ndikuar në thellimin e deficitit tregtar.

“Po, ekonomia e Kosovës për shkak të çështjeve strukturore që i ka, vazhdon të dominohet nga importi. Në vitin e fundit kemi pasur madje edhe një ngadalësim në eksport, që ka ardhur për kryesisht për arsye të shumë të izoluara, po ndërsa që importi ka vazhduar të rritet. Pra importi është rritur diku me rreth 14.7% dhe kjo ka bërë që të thellohet edhe më tutje deficiti, që është rreth 7% ose më shumë se 7% e bruto produktit vendor. Pra, derisa eksporti nuk fuqizohet dhe kjo mund të ndodhë nga shumë faktorë, varësia në import ë ka me dominuar dhe kjo sigurisht kërkon politika të caktuara të cilat janë jashtë fushë veprimit të BQK-së”, shprehet Ismaili.

Ismaili ka bërë të ditur se investimet e huaja direkte këtë vit kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe pritet të arrijnë një nivel dukshëm më të lartë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa për vitin 2026 parashihet të kalojnë shifrën e një miliard eurove.

“Sivjet shuma e investimeve ka kaluar të huaja ka kaluar rreth 730 milionë euro. Ne presim që në bazë të projeksionit pra të arrijë rreth 950 milionë euro. Kjo megjithatë me të dhënat e shtatorit paraqet një rritje rreth 20% krahasuar me një vit më herët. Kurse për vitin 2026, ne parashikojmë që shuma e investimeve të huaja të kalon 1 miliardë euro”, pohon Ismaili.

Sipas guvernatorit të BQK-së, remitencat vazhdojnë të kenë trend rritës dhe pritet të arrijnë një nivel të lartë deri në fund të vitit, me projeksione pozitive edhe për vitin e ardhshëm.

“Deri në fund të të dhënave të fundit që ne i kemi në muajin tetor, ka kaluar rreth 1 miliard e 50 milionë. Ne presim që remitencat të mbërrijnë rreth 1.4 miliardë sivjet dhe kjo të shënojë një rritje prej rreth 3.8%. Një rritje të ngjashme e parashikojmë edhe për rreth 3.5, 4% edhe për vitin që vjen”, thekson ai.

Ismaili ka bërë të ditur se rritja e normave të interesit në kredi ka ardhur si pasojë e rritjes së kostos së fondeve dhe faktorëve të rrezikut, duke theksuar se norma mesatare e interesit për periudhën 11-mujore ka arritur në 6.32 për qind, krahasuar me 6.13 për qind sa ishte një vit më parë. Ai ka sqaruar se normat e interesit reflektojnë jo vetëm koston e fondeve, por edhe vlerësimin e rrezikut kreditor dhe faktorë të tjerë ekonomikë, të cilët ndikojnë edhe në ritmin e kreditimit.

“Kostoja e fondeve, por njëkohësisht edhe ka ndikuar në rritjen e normës së interesit në kredi, e cila megjithatë, në aspektin 11 mujor, në mesatare arriti 6.32%, që është më e lartë se rreth 6.13% që ishte një vit më herët. Por të keni parasysh që norma e interesit reflekton përveç kostos së fondeve, reflekton edhe aspektet e rrezikut. Pra vlerësimit të rrezikut kreditor dhe rreziqeve të tjera të cilat në një moment të caktuar mund të jenë në ekonomi. Prandaj edhe ndonjëherë ato shërbejnë edhe si për frenimin ose për ngadalësimin e kreditimit, dhe në rastin konkret siç ju thashë, meqenëse tremujori i parë ishte me një rritje shumë të përshpejtuar, jo tipike për vitet e tjera, ajo u stabilizua gjatë pjesës së dytë të vitit dhe deri në fund të këtij viti norma domethënë është rreth 15 ose 16% e rritjes. Kështu që kamatat kanë reflektuar si me thënë moment situatën momentale të tregut, ato nuk presin që të vazhdojnë të jenë të larta, por që më shumë i ka qenë një, domethënë ndikim i forcave të tregut, përkatësisht kërkesës së ofertës për fonde, në një fazë kur konkurrenca në sektorin bankar ka qenë duke u rritur”, tha Ismaili

Ndër të tjera, sIsmaili ka theksuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër vazhdon të jetë sfidues, megjithëse BQK-ja po ofron mbështetje dhe po zhvillon komunikim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.

“Kjo vazhdon të mbetet një çështje që kemi pak progres. Kryesisht siç e dini, kjo çështje nuk është drejtpërdrejt në mandatin e Bankës Qendrore. Ne përpiqemi dhe ne ushtrojmë mbështetjen tonë në raport me Byronë Kosovare të Sigurimit, po edhe në bashkëpunim me institucione të tjera shtetërore, por ë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove, që është një organ i Bashkimit Evropian, mbetet një sfidë dhe për rrjedhojë edhe fillimi i zbatimit të Kartonit të gjelbërt. Ne në mënyrë të vazhdueshme e kemi adresuar këtë çështje me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke përfshirë ambasadat e shteteve mike në Kosovë, institucionet partnere ndërkombëtare, po dhe ë domethënë komunitetin tjetër që është relevant për këtë çështje… Anëtarësimi ndoshta është është proces më kompleks, por hapa pozitivë në këtë drejtim ne presim”, theksoi ai.

Duke folur për shërbimet digjitale të pagesave, Ismaili ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim me përfshirjen në Apple Pay dhe Google Pay, ndërsa PayPal mbetet ende jashtë, për shkak të çështjeve rregullative dhe mungesës së kodit shtetëror.

“E keni parë që këtë vit kemi pasur ë arritje në këtë drejtim. Pra, ë për herë të parë jemi pjesë e Apple Pay dhe Google Pay, që janë dy platforma të ndërkombëtarisht të pranuara, ku Kosova ka munguar. Ka qenë pjesë e angazhimit tonë bashkë me sektorin bankar, me shoqatën e bankave por edhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe kjo është arritur. Ende vazhdojmë të mungojmë në PayPal. Ka komunikime intensive në këtë drejtim, si me vetë institucionin, si me autoritetet rregullative të Luksemburgut. Janë duke u parë mundësitë e një improvizimi, të një zgjidhje. Sigurisht zgjidhja mirëfilltë do të ishte kur Kosova të merrte kodin e vet shtetëror, ISO code, që i jepet nga një agjenci e Kombeve të Bashkuara… Edhe për këtë çështje s’mund t’ju japim si me thënë një kohë të caktuar, por është t’ju siguroj që është në prioritetin tonë për shkak të impaktit që ka në qasjen në financa, për shkak të…”, u shpreh ai.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), Ismaili thotë se BQK në fund të vitit të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në SEPA, dhe mbetet me shpresë që Kosova në vitin e ardhshëm mund të bëhet anëtare.

Back to top button