Ismet Osmanit i njohur si “Curri” i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak Ismet Osmanit, i njohur me nofkën “Curri”edhe për dy muaj.

Një gjë e tillë u bë e ditur nga zëdhënësja e gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale kundër të pandehurit I.O., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 17.12.2024 ka marr Aktvendim duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e arrestit shtëpiak të pandehurit I.O., iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, e cila masë i llogaritet deri më datë 17.02.2025”, thuhet në përgjigje e gjykatës për portalin rtv21.tv.

Ndryshe, “Curri” po gjykohet edhe për fajde, në të cilin rast kishte munguar edhe seancën e 1 korrikut 2024, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për t’ia revokuar masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro.

Por, Gjykata e Apelit pas kthimit dy herë në rivendosje, herën e tretë kishte vendosur të lë në fuqi masën e dorëzanisë, duke i besuar premtimeve të avokatit se Curri se i njëjti do paraqitej në seancën e caktuar më 8 tetor.

Në këtë rast, Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”.

Në këtë seancë, avokati i “Currit”, Besnik Berisha kishte kërkuar përjashtimin e kryetares se trupit Gjykues, Medie Bytyqit.

Mirëpo, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit. Këtë vendim e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

“Curri”, nga viti 2019 gjendet nën masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro në rastin e fajdesë . Gjykata e kishte njoftuar Currin për pasojat nëse eventualisht nuk do të përgjigjej në ftesat e gjykatës për tu gjykuar. Në rast të shkeljes së kushteve të dorëzanisë, vlera prej 50 mijë eurove do shkonte në buxhetin e shtetit.

Ndërkohë, janë bërë afër 7 muaj, prej kur “Curri”, po konsiderohet i arratisur. Ai dyshohet të jetë i përfshirë edhe në një tentim vrasje të ndodhur në prill 2024./21Media

Back to top button