Iu vazhdohet paraburgimi Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit edhe për dy muaj të tjerë.
Vendimet e ndara janë marrë më 11 prill 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Ngjashëm në të dy vendimet, trupi gjykues ka thënë se nuk ka informacione të mjaftueshme që tregojnë se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen nga drejtësia nëse lirohen. Por, për të dy thuhet që ekziston rreziku që të pengojnë zhvillimin e procedurave të DhSK-së ndaj dëshmitarëve ose atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së.
Për Thaçin e Veselin, ZPS-ja kishte thënë se rreziqet përkatëse mund të menaxhohen në mënyre efektive vetëm në objektin e paraburgimit.
Më këtë, është pajtuar edhe trupi gjykues, i cili vlerësoi se objekti i paraburgimit është efektiv për të evituar shkeljet e mundshme të konfidencialitetit apo pengimit të drejtësisë.
Si rrjedhojë, paneli ka arritur në përfundim se vazhdimi i paraburgimit për dy të akuzuarit është i arsyeshëm.
Më 10 prill 2025, në konferencën javore u bë e ditur se Thaçit i ishte vazhduar paraburgimi edhe në rastin për pengim në administrimin e drejtësisë. /BetimipërDrejtësi