Ivanov flet për muzikë e ushqim, Ivaniq për kufi

Mysafiri nga Sarajeva tha se po pret që  sa më shpejtë të nënshkruajë marrëveshjen

Edhe në ditën e dytë të vizitës së kryesuesit të presidencës së BeH, Mlladen Ivaniq, përkrahë tij po rri homologu nikoqir Gjorgje Ivanov.

Duke iu shmangur politikës, Ivanov sot me buzëqeshje në Forumin e Biznesit Maqedoni – BeH foli për muzikën dhe ushqimin.

“Kemi popuj miqësorë të cilët mes veti respektohen dhe të cilët kënaqen me ushqim, muzikë dhe stil të njëjtë jetësor. Mjafton të shëtisësh Çarshinë në Sarajevë dhe në Çarshinë e vjetër të Shkupit ku përmes tingujve të hareshëm dhe elegjisë maqedonase bashkohen dreka me darkën”, tha Gjorgje Ivanov, President i RM-së.

Mysafiri nga Sarajeva tha se po pret që Maqedonia sa më shpejtë të nënshkruajë marrëveshjen që qytetarët e të dy vendeve të udhëtojnë me letërnjoftime.

“Bashkëpunimi ekonomik është më i dobët se ai politik. Unë besoj që sa më shpejtë tu lehtësohet qytetarëve të dy shteteve tu mundësohet kalimi i kufijve vetëm me letërnjoftime. Shpresoj se do të hapim linje ajrore të drejtpërdrejtë Sarajevë-Shkup dhe qasje të përbashkët në tregjet e treta të kompanive të Maqedonisë dhe Bosnjës”, u shpreh Mlladen Ivaniq, Kryesues i presidencës së BeH-së.

Ndryshe nga pritja për Ivaniq, kryetari Ivanov së fundi nuk priti në takime shefen e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, eurokomisarin për zgjerim Johanes Han, kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, e së fundi edhe ish-kryeministrin suedez, Karl Bild, shkruan tv21.tv.

Ivanov dje sërish bëri me dije se nuk do tia jap mandatin kryetarit të LSDM, Zaev, duke kërkuar që të heq dorë nga siç thotë Platforma e Tiranës. Përveç kësaj, ai tha se nuk ndjen përgjegjësi për pasojat e krizës, pasi që po e respekton Kushtetutën./21Media

Back to top button