Izmaku: Sfidat e mediave online, keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes
Sipas kryetares së Komisionit për Media, gjendja e mediave në Kosovë është një treg i vështirë
Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) organizoi konferencën “Gjendjen e mediave online në Kosovë”.
Qëllimi i konferencës ishte që të vlerësojë gjendjen e mediave online, e në veçanti të portaleve online që veprojnë në Kosovë.
Xhevahire Izmaku, kryetare e Komisionit për Media, tha se gjendja e mediave në Kosovë është në një treg shumë të vështirë, ku sipas saj kodi etik është shumë periferik, derisa ka theksuar se ka tituj të cilët lëndojnë shumë qytetarë.
Izmaku tha se sipas statistikave, ekzistojnë qindra portale që nuk i dihen adresa dhe pronarët kush i financon.
Izmaku po ashtu theksoi se ndër sfidat me të cilat përballen mediat janë gjuha e urrejtës dhe keqinformimi.
Imer Mushkolaj , kryesues i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ka theksuar se mediat online në Kosovë janë lehtësisht të dallueshme se cilit pronar i përkasin në bazë të asaj se çfarë plasojnë. Mushkolaj tha se është me shumë rëndësi të diskutohet çështja e vërtetësisë dhe kuptimit të përmbajtjes së lajmeve të cilat i konsumojmë çdo ditë.
Agron Bajrami kryeredaktor i ‘Kohës Ditore’ tha se lajmet e rrejshme janë lloj i përpjekjes, që për qëllim kanë synimin politik.
Sipas tij, shumica e portaleve në Kosovë nuk janë mediume as në sensin teknik meqë nuk kanë të punësuar as gazetarë as redaktorë e as lektorë.