​Izraeli kryen sulmin më të madh në Liban, godet 100 qendra të Hezbollahut për 10 minuta

Ushtria izraelite (IDF) ka njoftuar se të mërkurën ka kryer sulmin më të madh ndaj objektivave të Hezbollahut në të gjithë Libanin që nga fillimi i operacionit “Roaring Lion”.

Rreth 100 qendra komanduese dhe objekte ushtarake janë goditur brenda 10 minutave, raporton agjencia izraelite e lajmeve TPSIL, përcjellë KosovaPress.

Sipas njoftimit, sulmet janë kryer njëkohësisht në Bejrut, në Luginën Bekaa dhe në jug të Libanit. Ushtria tha se objektivat përfshinin qendra të inteligjencës, pozicione komanduese dhe kontrolli, objekte artilerie dhe detare, si dhe lokacione që i përkasin Forcës Radwan dhe Njësisë 127 të Hezbollahut.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se operacioni është bazuar në inteligjencë të saktë dhe ishte planifikuar prej javësh nga Drejtoria e Operacioneve, Drejtoria e Inteligjencës, Forcat Ajrore dhe Komanda Veriore, me qëllim dobësimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Hezbollahut.

Ushtria shtoi se shumë nga objektivat e goditura ndodheshin në zona të banuara, duke akuzuar Hezbollahun për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.

Po ashtu, në njoftim thuhet se janë ndërmarrë masa për të minimizuar dëmet ndaj civilëve dhe se operacionet kundër grupit do të vazhdojnë.

“Ne do të vazhdojmë të godasim organizatën terroriste Hezbollah dhe do të shfrytëzojmë çdo mundësi – nuk do të bëjmë kompromis për sigurinë e banorëve të veriut. Do të vazhdojmë të godasim pa ndërprerje”, ka thënë shefi I Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelit, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir.

Back to top button