Izraeli nderon Ramën me medalje presidenciale, Herzog: Shqipëria është unike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog gjatë vizitës në Izrael.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog ka thënë se Shqipëria është unike si i vetmi vend evropian që e përfundoi Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa filloi.
“Kjo është një dëshmi prekëse e miqësisë së thellë mes popujve tanë dhe e trimërisë së popullit shqiptar që refuzoi të bashkëpunonte me nazistët. Sot edhe një herë Shqipëria dhe Izraeli qëndrojnë krah për krah, duke i bërë jehonë kësaj miqësie shekullore në epokën moderne. Si simbol i kësaj miqësie, si dhe në njohje të lidershipit të tij të guximshëm dhe angazhimit personal për të luftuar antisemitizmin, u preka thellësisht sonte, për të vlerësuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me Medaljen Presidenciale të Nderit – dekorata më e lartë civile në Izrael”, ka shkruar në platformën “X” presidenti izraelit, Isaac Herzog.
Këtë nderim, ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, e ka quajtur lidhje e epokës moderne midis Shqipërisë dhe Izraelit.
“Pra, duke lëvizur për të parë lidhjet e forta historike midis popullit shqiptar dhe hebrenjve, si dhe lidhjet e epokës moderne midis Shqipërisë dhe Izraelit”, ka shkruar Ziv në X.
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se e konsideron atë, si nderimin e duhur për shembullin që shqiptarët i lanë botës, duke mos dorëzuar asnjë hebre të vetëm tek nazistët, si edhe për faktin domethënës se në Shqipëri s’ka vend për asnjë formë të urrejtjes fetare apo etnike, përfshirë edhe antisemitizmin.