Jahjaga: Hyrja ime në Serbi u pamundësua me një arsyetim absurd

”Pranimi i krimeve të luftës në Kosovë, e vetmja mënyrë që Kosova e Serbia të ecin përpara”

Ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga nuk iu lejua që të  marrë pjesë në promovimin e librit “Unë dua të dëgjohem” me ç’rast do të fliste për dhunën seksuale gjatë luftës në vend. Lidhur me këtë, Jahjaga përmes një postimi është shprehur se hyrja nuk iu lejua për arsye absurde.

“Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë. Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time” tha Jahjaga.

Megjithatë Jahjaga nuk dorëzohet. ”Zyra ime dhe organizatorët e festivalit janë në komunikim të vazhdueshëm për të siguruar pjesëmarrjen time në këtë festival, me bindjen se pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara”, ka shkruar ndër të tjera Jahjaga.

Ajo më tutje ka shtuar se nuk dëshiron të ndryshojë qasjen te zyrtarët serbë, por të tregojë të vërtetën, pasiqë siç është shprehur ”e vërteta nuk njeh kufinj”.

“Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-a kur kanë qenë edhe protagonistë. Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjve dhe aktivistëve që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udheheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufinj”, ka shkruar Jahjaga në facebook.

Promovimi i librit “Unë dua të dëgjohem” është paraparë të bëhet të sot në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor.

Ndryshe, festivali ka nisur të mërkurën mbrëma (më 31 maj), dhe është penguar përkohësisht nga 20 pjesëtarë të lëvizjes ekstreme djathtiste “Zavetnici”./21Media

Back to top button