James Rubin: S’kemi gjetur asnjë provë lidhur me pretendimet për vrasje nga Thaçi dhe Krasniqi

(Lajm i përditësuar)


James Rubin përfundon dëshminë për sot

Ka përfunduar për sot dëshmia e James Rubin, ish-ndihmëssekretarit amerikan, ku dëshmia e tij do të vazhdojë edhe nesër nga ora 09:00 me pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ai para trupit gjykues ka folur për përpjekjet e serbëve që të fajësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për fshehjen e provave. James Rubin, dëshmia e të cilët është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.


Rubin mohon se Thaçi s’e nënshkroi marrëveshjen e Rambujesë pasi s’donte të çarmatosej UÇK-ja

Dëshmitari James Rubin mohoi se njëra ndër arsyet se pse Hashim Thaçi nuk e ka nënshkruar në raundin e parë marrëveshjen e Rambujesë, ishte se nuk donte që UÇK-ja të çarmatosej.

“Jo. Me sa di unë, jo”, tha James Rubin.

Gjatë bisedimeve në Rambuje, Rubin tha se pala shqiptare kërkonte siguri nga NATO që do të përdorte forcën e saj nëse forcat serbe do vazhdonin me shtypjen e tyre.

“Kërkoheshin siguri që të jepnin nga NATO që do të vazhdonte më tej me procesin, pra me premtimin e saj që të përdorte forcën e saj në qoftë se serbët vazhdonin me shtypjen e tyre, nëse serbët nuk e bënin këtë gjë, nëse Qeveria serbe nuk nënshkruante atëherë kërkonin që t’iu jepnin siguri që në rast që të gjithë të tjerët nënshkruanin, atëherë NATO të tregonte forcën”, tha ai.

Rubin tha se shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre në Rambuje kërkonin siguri prej ndërkombëtarëve që ta mbanin premtimin e tyre.

“Ata po kërkonin për siguri që ne do iu jepnim atyre dhe që do të mbanim premtimin tonë”, tha James Rubin.

Ai shtoi se nuk rast që shqiptarët nuk nënshkruanin, do të dërgoheshin trupat e NATO-s dhe në rast që pala serbe nuk do të nënshkruante- do të dërgohej trupa ajrore.

Rubin tregoi se Hashim Thaçi kërkonte edhe miratimin e Adem Demaçit për marrëveshjen e Rambujesë dhe se kjo tregonte se ai nuk ishte vartësi i tij, por epror i Thaçit.

Rubin tregoi se sa e ka kuptuar ai, Demaçi kishte kundërshtuar nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë.


Rubin: Christopher Hill ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së

Ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin tha se diplomati Christopher Hill ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së.

Ai tha se vazhdimisht po tentonte që ta dëmtonte figurën e tij dhe figurën e sekretares Madeleine Albright.

“Christopher Hill ka qenë i anshëm dhe e kisha vënë re këtë. Ai nuk ishte i paanshëm dhe ishte në favor të LDK-së, kundër UÇK-së. Unë isha i paanshëm. Mua më është kërkuar më udhëheqësin e vetëshpallur të delegacioni. Chris Hill në mënyrë shumë të pamatur ka qenë i anshëm. Është përpjekur të më dëmtoj figurën mua dhe dëmtojë sekretaren Albright duke u thënë se ajo kishte influencuar drejtuesin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje dhe në fakt ne e kishim vetëm një objektiv që deshëm ta arrinim atje”, tha ai.

Rubin tha se Christopher Hill ishte personi që i dëmtoi bisedimet atje dhe ishte shkaku që nuk e morën “po” nga UÇK-ja për marrëveshje.

Kjo deklaratë e James Rubinit erdhi pasi prokurori James Pace ia lexoi një deklaratë të Hillit, ku ky i fundit kishte thënë se Rubin e udhëzonte Thaçin edhe çfarë kostumi dhe kravate të veshte.

Këto pretendime, ai i quajti “mite” dhe jo të vërteta që kanë dalë nga Hill.


Rubin për Qeverinë serbe: Gjithmonë janë përpjekur ta fajësojnë UÇK-në

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin i cili është duke dëshmuar me autorizimin e Qeverisë Amerikane, tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

Ai pohoi se forcat serbe kanë mbuluar krimet për t’i fshehur provat që të mos ketë llogaridhënie pas arritjes së NATO-s në Kosovë. Pra, që të mos ketë prova të disponueshme për Tribunalin për krime lufte.

Po ashtu, Rubin pohoi se Qeveria serbe nuk po vepronte sipas asaj që kuptohet si luftë konvicionale, por po vepronin si kriminelë për të fshehur krimet.

“Është karakteristikë që kemi parë në Bosnje dhe përsëri në Kosovë… ata gjithmonë janë përpjekur që të fajësojnë UÇK-në. Pra, Qeveria Serbe. Kjo është mënyra që ata e justifikonin atë që po bënin duke hedhur fajin tek të tjerët”, tha ai.

Rubin përmendi edhe një takim që kishte pasur me Jakup Krasniqin në Bruksel, ku Krasniqi i kishte kërkuar ndëhyrje ushtarake Amerikës, armatosjen e UÇK-së dhe ndalimin e spastrimit etnik nga Sllobodan Millosheviq.

Dëshmitari tha se kërkesat e Krasniqit ishin racionale në atë kohë, por ishte e pamundur që të realizoheshin në atë periudhë kohore.

Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit për dëshmitarin dhe do të vazhdojë me pyetje Prokuroria, përfaqësuar nga prokurori James Pace.

Prokurori Pace tha se i duhen 4 orë për pyetjet e tij.

Rubin mohoi se ka marrë pjesë përpara Rambujesë në takime ku ka pasur anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm. Gjithashtu, mohoi të ketë takuar komandantë të zonave të UÇK-së.

Ai tha se nuk e dinte para Rambujesë se Thaçi ishte drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së.


James Rubin: S’kemi gjetur asnjë provë lidhur me pretendimet për vrasje nga Thaçi dhe Krasniqi

James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se nuk kanë pasur asnjë të dhënë apo provë që Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin e lidhin me vrasje dhe ekzekutime.

James Rubin gjithashtu tha se edhe kur ka biseduar me miq të tij që kanë punuar në agjenci të inteligjencës nuk i kanë dhënë informacione të tilla, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime të tilla dhe vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotin Krasniqi as me zotin Thaçi. Rreth 25 vjet që jam larguar nga Qeveria kam pyetur të gjithë ata që kanë pasur informacion lidhur me ketë pretendim dhe jo vetëm në vitet 2000, por edhe dekada më vonë miqtë e mi që kishin informacione inteligjente kur kanë punuar ndonjë kohë, nuk më kanë dhënë informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjërin prej drejtuesve të UÇK-së”, tha ai.

Rubin tha se niveli i dezinformimt në Ballkan ka qenë shumë i madh kryesisht i ndikuar nga Rusia dhe Kina për qëllime të caktuara.

Po ashtu, dëshmitari u pyet për rastin “Panda” në Pejë, për të cilin tha se nuk i kujtohet konkretisht por incidente të tilla të ngjashme kanë ndodhur.


Dëshmia e James Rubin në Hagë, bëhet lajm në “Associated Press”

Agjencia e njohur e lajmeve, “Associated Press”, raportoi të hënën për dëshminë që po e jep në Gjykatën Speciale ish-diplomati amerikan, James Rubin, si dëshmitar i parë i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Thaçi është në gjyq në gjykatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë me tre ish-udhëheqës të tjerë të grupit gueril, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi kundër forcave serbe në luftë. Ata vlerësohen gjerësisht si heronj kombëtarë në atdheun e tyre”, raporton agjencia e njohur.

“Rubin ishte me ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, në bisedimet e paqes në Francë më 1999 dhe më vonë i pranishëm në bisedimet për çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e njohur edhe si UÇK. Ai e përshkroi Thaçin si “përfaqësues” të kësaj force, pa pushtet të vërtetë”, thuhet më tej në artikull.

“Për mua ishte e qartë se ai nuk ishte përgjegjës” – tha Rubin në gjykatë. “Ai nuk i kishte njohuritë, kapacitetet ose autoritetin për të marrë vendime në çfarëdo forme ose mënyre” – shtoi ai, raporton agjencia “Associated Press”.

“Thaçi u ngrit në pushtet politik pas luftës, por dha dorëheqje si president për ta mbrojtur veten kundër akuzave me të cilat ballafaqohet bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, përfshirë vrasjen, përndjekjen, torturimin dhe zhdukjen me forcë”, thuhet ndër të tjera në artikull.


Rubin flet për marrëveshjen e tetorit: Kishte të bënte me forcat serbe, ndërsa UÇK-ja mori në dorë fatin e njerëzve të vet për të mos lejuar masakrimin e tyre

James Rubin po vijon dëshminë e tij në Hagë.

Ai ka thënë se në tetor të 1998-tës, ata ishin të përqendruar tek informacioni lidhur me forcat serbe, duke thënë që poashtu ishin të interesuar për zhvillimet e reja.

“Në atë kohë ne ishim të përqendruar te informacioni lidhur me forcat serbe, ishim të interesuar gjithashtu edhe për zhvillimet e reja zhvillime të cilat    quheshin dalja më tepër në pah e UÇK-së, këto ishin që nuk i kuptonim mirë por kishte zëra dhe ne ishim të interesuar të merrnim më shumë informacione, ishin informacion që kryesisht ne e merrnim nga forcat inteligjente ose nga burimet diplomatike në teren që mbase kishin kontakte me qytetarët e Kosovës që mund të jepnin informacione të caktuara”, tha Rubin.

Sipas ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Marrëveshja e Tetorit kishte të bënte me forcat serbe, kurse a ai UÇK-ja ka marrë në dorë fatin e njerëzve të vet duke mos lejuar më masakrimin e tyre.

“UÇK-ja u përgjigj, Serbia u kundërpërgjigj dhe për këtë arsye masakra vazhdoi. Ne kishim burime të shumta në teren për informacione”, ka shtuar Rubin. /21Media


Rubin: Kishte akuza të fabrikuara që tentonin ta cenonin marrëdhënien tonë me popullin e Kosovës

James Rubin, në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasnqi në Hagë, tha se ka dëgjuar vazhdimisht akuza për vrasje për terrorizëm e për gjëra të tilla gjatë kohës së luftës.

Sipas tij, këtë e konsideron normale pasi ata tashmë kanë shpëtuar shumë njerëz nga masakra dhe po tentohej të cenohej marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me popullin e Kosovës,

“Ne kishim ndihmuar shqiptarët e Kosovës, ishin shumë mirënjohës se ua kishim shpëtuar jetën. Edhe udhëheqësit e tyre ishin mirënjohës dhe të kujdesshëm me deklaratat dhe kërkesat që vinin nga presidenca e SHBA-ve duke përfshirë edhe përfaqësuesit e tyre, duke përfshirë edhe unë. Unë e dija që kishim shumë influencë ndaj tyre. Kështu që mendonim se ishte normale që për çështje terrorizmi të dëgjonim herë pas here historira fundamentaliste islamike që po përpiqeshin të depërtonin në Ballkan dhe e trajtonim me ta në këtë temë. E kuptuam që kryesisht ishin të fabrikuara dhe synonin të ndikonin në mbështetjen tonë. Ne thjesht ndihmuam njerëzit që të mos masakroheshin dhe këto akuza tentonin ta cenonin këtë marrëdhënien tonë”, tha ai.

Rubin theksoi se që nga hera e parë deri tek herën e fundit, i’u është krijuar përshtypja që për Thaçin, Amerika ishte një simbol dhe dëshironte mbështetjen e saj.


Rubin: Për Hashim Thaçin, Amerika ishte simbol dhe shtet i fuqishëm

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin ka foluar për bashkëpunimin e Amerikës me Hashim Thaçin, duke thënë se për të Amerika ishte një simbol.

Ai shtoi se sipas Thaçi e konsideronte Amerikën një shtet të fuqishëm të mirë për botën.

“Që nga momenti që e kam takuar deri herën e fundit që e kam takuar, më është krijuar përshtypja që për të Amerika ishte një simbol dhe një pasqyrim e asaj që ai konsideronte një shtet i fuqishëm i mirë për botën”, tha Rubin. /21Media


Rubin thotë se Thaçi s’kishte autoritet të merrte vendime për UÇK-në

James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i shtetit tha se Hashim Thaçi nuk kishte autoritetin të merrte vendime për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe se komandantët i tregonin se çfarë të bënte.

Ai tha se kjo gjendje ishte jo vetëm për marrëveshjen e Rambujesë, por edhe për marrëveshje të tjera sikurse ajo për demilitarizimin e UÇK-së.

“Ndonjëherë Hashim Thaçi m’i jepte pikëpamjet e fundit të tyre dhe unë i shikoja këto pikëpamje së bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe thonim ne se kjo është në rregull, kjo nuk është në rregull. Kur gjërat nuk ishin siç planifikonim ne, duhej të kontaktonim përsëri me komandantët në mënyrë që komandantët të binin dakord për formulimin. Por, absolutisht e qartë për mua se ai nuk e kishte aftësinë dhe as kompetencën që të merrte vendime për UÇK-në. E kam fjalën për çështje praktike; dorëzimin e armëve, udhëzimin e forcave, veshjes së uniformave, që kishin të bënin me aspekte ushtarake. Këto ishin që vendoseshin nga persona të tjerë”, u shpreh ai.

Rubin deklaroi se Thaçi ishte fytyra e UÇK-së që luante rolin e ministrit të jashtëm dhe se komandantët i thonin atij se çfarë të bënte.

“Unë jam takuar vetë me komandantët dhe e kam parë vetë me sytë e mi marrëdhënien e këtyre komandantëve me Hashimin. Ata komandantë i kanë thënë atij se çfarë të bënte dhe jo Hashimi t’iu thoshte atyre se çfarë të bënte”, tha ai. /betimipërdrejtësi


Rubin: Me Çekun pimë nga një gotë uiski për të festuar transformimin e UÇK-së

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka folur edhe për ish-gjeneralin Agim Çekun.

Ai tha se derisa takoheshin me komandatët të UÇK-së në zona të ndryshme për të folur rreth negociatave, teksa zbuloi se ishte parë me Çekun për të festuar transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Shkuam për të takuar gjeneral Çekun në shtëpinë e vet ose në selinë ku qëndrohet ai, ne pimë një gotë uiski me të për të festuar vendimin për transformimin e UÇK-së në forcën mbrojtëse të Kosovës dhe përshtypja ime gjatë atij procesi ishte që duke qenë se kishim marrëdhënie të mira në Ballkan duke pasur parasysh karrierën time për disa vite dhe duke ditur se si silleshin njerëzit me persona që ishin shefa (komandantë) dhe përshtypja ime ishte që njerëzit u sollën ose silleshin sikur personat përgjegjës siç ishte Çeku për këtë arsye u morr vendimi drejt fundit të negociatave për të shkruar për ta takuar Çekun personalisht”, tha Rubin. /21Media


Rubin tregon për takimin e tij të parë dhe të fundit me Thaçin

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin po vazhdon dëshminë e tij në Gjykatë Speciale.

Rubin ka rrëfyer momentet se si dhe ku është takuar për herë të parë më ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Ai theksoi se hera e fundit kur ishte takuar me Thaçin ishte rreth vitit 2018.

“Kishte kaluar nga një djalë i ri që punonte në rrethana të vështira dhe tani befasisht ishte bërë kryeministër. Pra, kishin kaluar disa vite, katër-pesë vjet nëse më kujtohet mirë. Dhe kjo ka ndodhur në një restaurant në Nju Jork, hera e parë. Besoj që hera e fundit duhet të kenë qenë rreth vitit 2018 kur po punoja në Uashington dhe ai në atë kohë ishte president i Kosovës. /21Media


Rubin në Hagë: Fati i 1 milion kosovarëve, situata më e rëndë e jetës sime

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin i pyetur për komunikimin e tij me Thaçin gjatë konferencës së Rambujesë dhe në Paris, ai tha se ka qenë mjedis me shumë presion.

Rubin shtoi se kjo situatë për të ka qenë më e vështira për të përshkak të fatit të 1 milionë personave.

“Do të them dy gjëra këtu, një ka qenë një mjedis me shumë presion, kjo ka qenë situata më e vështirë që më kujtohet mua sepse fati i 1 milionë personave ishte në fjalë. Nëse lëvizja kosovare, nëse ata do të përqafonin perëndimin, perëndimi dp të ishte pro tyre përndryshe do të kishte masakër”, deklaroi ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit. /21Media


Rubin tregon se si e njohu Thaçin: Albright donte që unë ta njihja, ta bëja shok e mik diplomatik dhe ashtu bëra

James Rubin, ish-Nënsekretar i Shtetit, ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale si i ftuar i mbrojtjes për të dëshmuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

I pyetur nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, se si erdhi ta njohë Hashim Thaçin në rend të parë dhe si është zhvilluar marrëdhënie mes tyre, ai tha se i’u kërkua nga vetë Madeleine Albright që të bëhej i afërm me Hashim Thaçin që ta njihte nga afër.

Ai shtoi se Thaçi e ka njohur atë përmes televizionit si zëdhënës i DASh-it.

“Më kujtohet takimi i parë, i regjistruar ky në kabllogram. Më kujtohet që ai më njohu menjëherë, përmes televizionit sepse unë isha zëdhënës i DASh, dhe dilja në televizor. Dhe zonja Albright e vërejti këtë gjë që ai më njohu, ajo ishte shumë e zonja në marrëdhëniet njerëzore, dhe më tha menjëherë bisedo dhe njihu me të sepse unë se njihja, askush se njihte në fakt në qeverinë e Shteteve të Bashkuara (SHBA). Njihu me të, më tha, dhe kështu bëra. Për ato 2 javë qëndrova me të, hamë bashkë, e pinim ndonjë cigare, ecnim bashkë, dhe unë përpiqesha ta njihja. Albright mendonte se ishte e dobishme, dhe unë i njihja përpjekjet e saj më mirë se dikush tjetër, dhe ja donte që unë ta njihja atë, që të bëhesha koleg, mik e shok diplomatik”, tha Rubin. /21Media


Rubin për komunikimin me Thaçin: Në atë kohë nuk fliste gjuhën angleze, për të komunikuar në nivel diplomatik kishim përkthyes

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin në dëshminë në Hagë për komunikimin me Hashim Thaçin, ai tha se në atë kohë ata kanë komunikuar me përkthyes në nivel diplomatik.

Ai shtoi se në ato rrethana për të komunikuar me Thaçin kanë përdorur edhe gjuhën e trupit përshkak se Thaçi nuk fliste gjuhën angleze.

“Në atë kohë Hashim Thaçi nuk fliste në anglisht dhe kur dikush nuk flet gjuhën në ato rrethana përdoret shpesh gjuha e trupit, përdoren fjalë që njihen në të gjitha gjuhët dhe pastaj për të komunikuar siç duhet në nivel diplomatik kishim përkthyes dhe besoj që ka pasur momente kur përkthyesi i departamentit të Shtetit ishte me mua ose ndonjë person tjetër që unë e njihja dhe fliste të dy gjuhët ishte aty për të bërë përkthimin“, tha ai. /21Media


Kur pritet të përfundojnë dëshmitë e mbrojtjes?

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parashikon që deri më 14 nëntor, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së fundit, të mbyllet rasti i mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë gati për të dorëzuar shkresat përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit deklaroi se do t’i nevojiteshin 35.5 orë për dëshminë e dëshmitarëve të saj.

Mbrojtja e Krasniqit njoftoi se dy dëshmitarë do të dëshmojnë personalisht në gjykatë, ndërsa dy të tjerët do të paraqesin dëshminë me shkrim, e cila tashmë u është dorëzuar prokurorëve.

Bazuar në këtë planifikim, gjykatësi vlerësoi se për përfundimin e dëshmive do të duhen rreth 35 ditë pune – me pesë orë dëshmi në ditë – duke parashikuar përfundimin e tyre në dhjetor.

Ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit njoftuan, ndërkohë, se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse. /rel


Nis dëshmia e James Rubin në Hagë

James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i shtetit, ka filluar dëshminë të hënën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Rubin është thirrur si dëshmitar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, e i cili njëkohësisht është dëshmitari i parë i mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ky dëshmitar ka kodin 1DW003 në këtë proces gjyqësor. Bashkë me Rubin në seancë janë edhe sekretarja e ambasadës së SHBA-së në Holandë dhe sekretarja e Qeverisë së SHBA-së në Washington.

Dëshmia e Rubinit pritet të zgjasë dy deri në tri ditë.

Sipas trupit gjykues, u autorizuan masa të caktuara për këtë dëshmitar, sipas Rregullës 107, që ka të bëjë me autorizimin e dhënësit të informacionit.

Trupi gjykues tha se nuk do të pranojë pyetje që nuk kanë të bëjnë me Rregullën 107 dhe autorizimet që bien sipas kësaj rregulle.

Mbrojtja e Thaçit ka kërkuar shtimin në provave materiale një dokument që do të përdorë me dëshmitarin 0003. ZPS-ja kishte thënë se nuk është kundër kërkesës ndonëse u është dërguar me vonesë.

Kështu, trupi gjykues pranoi këtë dokument pasi tha se ka të bëjë me dëshminë e dëshmitarit lidhur me atë se çfarë mban ai mend gjatë rolit që ka pasur në Kosovë. Sipas trupit gjykues, ky artikull ka të bëjë edhe me atë se çfarë i kujtohet dëshmitarit lidhur me rolin e Thaçit gjatë konferencës së Rambujesë dhe rolit të tij në UÇK.

Të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit.


Avokati i Thaçit: Sot kuptohet se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999

Pak para se të nis procesi gjyqësor ku do të dëshmojë ish-diplomati James Rubin në Hagë, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper deklaroi se Thaçi është falënderues ndaj të gjithëve që po e përkrahin në këtë proces.

Ai tha se tani është koha që të zbulohet e vërteta e Kosovës e vitit 1999.

“Presidenti falënderon të gjithë që po e përkrahin në këtë proces. Jemi entuziast për sot, që do të na jep një shans që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që të tregojmë të vërtetën  se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i ri ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregohen që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë”, deklaroi Prosper para mediave.

“Ne kemi qenë të suksesshëm dhe do të vazhdojmë të jemi të suksesshëm”, tha ndër të tjera ai tutje.


Avokati i Kadri Veselit arrin në gjykatë

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon ka arritur në gjykatë, ku sot do të nis dëshmia e dëshmitarëve të mbrojtjes.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, pritet të nis sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Seanca do të fillojë në orën 9:00, përmes transmetimit me 45 minuta vonesë.


Djali i Kadri Veselit në Hagë për të dëgjuar dëshmitarët e mbrojtjes

Sot nis dëshmia e mbrojtjes në gjykimin e katër ish krerëve të UÇK’së.

I pari që do të dëshmojë është James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjet kyçe të luftës në Kosovë.

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka shkuar edhe Klestor Veseli, djali i ish kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.


Doli i pranishëm në seancën ndaj krerëve të UÇK-së: Ambasada e Kosovës gjithmonë i ndjek me kujdes gjykimet në Hagë

I pranishëm në seancës e sotme ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë do të jetë edhe ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli.

Ai thotë se si ambasador, kjo nuk është hera e parë që të dërguarit e Kosovës me detyrë atje, marrin pjesë në seancat e Gjykatës Speciale.

Sipas tij kushdo që ka shërbyer në ambasadën e Kosovës në të kaluarën i përcjell këto seanca cdo herë.

“Një gjë mund ta them, se kushdo që ka shërbyer në ambasadën e Kosovës në të kaluarën dhe në të tashmen… I përcjellim çdo herë, ose online ose me prezencë fizike. Asnjëherë nuk është asnjë seancë që nuk monitorohet nga ambasada me kujdesin më të madh”, tha ai.

Doli u pyet nga gazetarët edhe për prezencën e policisë në ambasadë.

“Asnjëherë se nuk kërkojmë mbrojtje nga popullit të Kosovës. Kjo është ambasada  e Kosovës, shtëpia e kosovarëve dhe s’kemi arsye”, deklaroi ai.


Hasani: Është ditë me fat sot, dëshmon një njeri që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirin dhe çlirimin e Kosovës

Nait Hasani deputet i Kuvendit të Kosovës për RTV21 nga Haga tha se është ditë me fat sot.

Hasani për James Rubin thotë se ai ka dhënë kontribut për lirinë dhe  çlirimin e Kosovës

“Është një ditë me fat për presidentin, kryetarin e parlamentit për Rexhep Selimin pikërisht sepse dëshmonë një njeri që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe çlirimin e Kosovës”, tha ai. /21Media


James Rubin dëshmon sot në Gjykatën Speciale të Hagës si dëshmitar i mbrojtjes

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do ta nisë sot dëshminë e tij para Gjykatës Speciale, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ai nuk është i vetmi mes emrave të njohur që pritet të dëshmojnë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Seanca do të fillojë në orën 9:00, përmes transmetimit me 45 minuta vonesë.

Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 9 shtator 2025, Trupi Gjykues pranoi si prova disa aktekspertiza të dorëzuara nga Mbrojtja e Viktimave dhe një provë materiale të dorëzuar nga Mbrojtja.

Gjykatësit nuk pranuan një provë materiale tjetër që u kërkua të pranohej nga Mbrojtja. Kur u pyet lidhur me këtë provë gjatë pyetjeve nga pala kundërshtare, dëshmitari nuk ishte në gjendje të jepte asnjë kontekst për të, kështu që Trupi Gjykues e konstatoi jorelevante për dëshminë.

Më 8 shtator 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të vendosur disa garanci gjatë pyetjeve të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e tjera të Mbrojtjes.

Këto përfshinin kufizimin e objektit të pyetjeve dhe moslejimin e palëve që pyetjet në cilësinë e palës jothirrëse të jenë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e një të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar.

Në vendim, Trupi Gjykues shpjegoi se, kuadri i lejuar dhe kufizimet e pyetjeve nga palët jothirrëse janë të përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe në Urdhrin e Trupit Gjykues për Zhvillimin e Gjykimit.

Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me temat e trajtuara nga pala thirrëse si dhe lidhur me besueshmërinë e dëshmitarit, dhe në përgjithësi janë të autorizuara t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve për aspekte që lidhen me argumentet e tyre, me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën.

Çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Në vendimin e tij gojor më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores.

Më 16 dhe 17 korrik 2025, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat në gjykatë. Konferenca përgatitore për Mbrojtjen u mbajt më 19 gusht 2025, kurse paraqitja e provave nga Mbrojtja fillon më 15 shtator 2025, me synimin që të përfundojë më 14 nëntor 2025. Në këtë çështje gjyqësore janë 155 viktima pjesëmarrëse.

Back to top button