Jasharaj-Kurtit: Ty dhe Qeverinë do t’ju zë mallkimi i minatorëve

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim e Shkencë (SBASHK) Rrahman Jasharaj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e drejtuar prej tij, duke thënë se do t’i zë mallkimi i minatorëve të cilët janë në grevë qe pesë ditë.

Minatorët e Trepçës për ditën e pestë me radhë janë në grevë. Po kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, sigurime shëndetësore, pagesa e pagave me kohë dhe shkarkimin e menaxhmentit.

Jasharaj, përmes një reagimi dërguar mediave të shtunën, ka thënë se gjatë ditës së djeshme ka vizituar minatorët që janë në grevë, të cilët sipas tij, “mallkonin institucionet”.

“Kryeministër Kurti ty nuk po të lë hapësirë në këtë shkrim se je shumë i zënë me dialogun, por anëtarët e Qeverisë që t’i drejton dhe ca deputet nga partia jote do t’i zë mallkimi i minatorëve grevistë që mezi marrin frymë në galerinë 800 metra nën tokë. I vizitova dje dhe teksa po pritnim të lëshoheshim në brendësitë e tokës , nga atje nxorën grevistë me gjendje të renduar shëndetësore e ata mallkonin institucionet dhe mendje e kishin të kolegët e tyre në thellësitë e nëntokës së Kosovës. Kryeministër me këtë gjendjen time të rënduar shëndetësore bashkë me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Shërbyesve civilë Ali Gashi dhe nënkryetarin e BSPK-së Skënder Lushtaku po bëheshim gati për të zbritur në galeri 800 metra nën tokë , por duhej pritur se ekipet kujdestare po nxjerrin goxha me vështirësi grevistë për t’i dërguar në institucione shëndetësore e ata të stërlodhur kundërshtonin të ndaheshin nga shokët grevistë, por edhe mallkonin. Mallkonin Qeverinë dhe udhëheqësit që nuk po qajnë kokën për ta e për kushtet tmerr të punës në minier”, , thuhet në reagimin e Jasharajt.

Ai ka pasur kritika edhe për deputetin e Vetëvendosjes, Dimal Basha, duke e quajtur si “asgjëdijshmi”.

“Kryeministër, ti nuk ke kohë për minatorët, por dërgoje këtë farë Dimal Bashën, që është i asgjëdijshmi , e që bën propagandë kundër minatorëve grevistë për pagat e tyre. Kryeministër ata janë në grevë thellë nën tokën e Kosovës sepse as edhe një herë nuk janë të sigurt se do të marrin pagat e tyre. Kur ke pak kohë të lirë o kryeministër Kurti , në vend që të pini çaja e të bëni reklama koti, merre Qeverinë dhe shumë ushtarë të face bukut dhe vizitoni minatorët me apo pa grevë. Ti kthehu me Qeveritarët për të vazhduar dialogun e ushtarët tu të rrjeteve sociale urdhëroj të kalojnë , bile, një ditë nën thellësitë e tokës së Kosovës dhe të ndajnë fatin e “mirë” me minatorët”, ka thënë Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut tutje u shpreh se punëtorët e arsimit “ishin dhe janë me minatorët”.

Back to top button