Jasharaj: Tellallët e Kurtit me pafytyrësinë e dëshmuar hodhën fyerje ndaj protestuesve

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, sot përmes një letre ka reaguar ndaj komenteve të qeveritarëve, që sipas tij ua kanë bërë protestave të mësimdhënësve.
Ai ka deklaruar se kërkesat e tyre modeste, Qeveria Kurti nuk ka dashur t’i analizojë “e as qe gjeti kohë të merrej me to”. “Në vend të kësaj tellallët e Kurtit me pafytyrësinë,e dëshmuar tani e sa muaj , hodhën fyerje e akuza ndaj protestuese, që ua lë në fytyrën e moralin e tyre , nëse e kanë.”, është shkruar në letrën e Jasharajt.
Kryetari i SBASHK-ut ka deklaruar se edhe deputetët Rrustemi e Bajçinovci kot shpifin e merren me ofshama, sepse siç ka theksuar ai,  punëtorët e arsimit janë heronj të kohës.
“Tellallë të pafytyrë , ju fyes  e sharës të mësuesit dhe ju që merreni me personalitetin tim fyerjet  tuaja ua lëmë në fytyrën tuaj , pra edhe të fyerjeve të një tellall  të VV-së për pjesëmarrësit e protestës sepse edhe qeni ka besnikëri , që ai nuk e ka, sepse edhe deputetët Rrustemi e Bajçinovci kot  shpifin e merren me ofshama e gënjeshtar sepse punëtorët e arsimit janë heronj të kohës dhe atë e kanë dëshmuar nëpër vite e dekada duke e mbrijuar dritën nga errësira. Ju tellallët e Kurtit nuk keni arritur të gjeni  tradhtarë që do ta prishnin rrjedhën e mbarë të Kongresit të SBASHK-ut, siç arrihet diku tjetër.”, është shkruar tutje në letër.
Ky reagim ka ardhur, pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në ditën e protestës së sindikalistëve ka bërë një reagim ndaj protestës.
“Nuk shkojnë në protesta punëtorët, sidomos jo ata të arsimit, kur e kanë të instaluar Rrahman Jasharajn e PAN-it në krye.”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.
Ndërsa, deputeti tjetër i VV-së, Adnan Rrustemi ka kritituar rizgjedhjen e Jasharajt si kryetar i SBAShK-ut për mandat të tretë.
Jasharaj ka potencuar se punëtorët e arsimit e kulturës do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me SBASHK-un dhe nuk do të jenë të pafytyrë, por ka shtuar se mendimin e tyre do ta shprehnin lirshëm sa herë iu vjen koha përmes votës.
“Për mua e treguan vlerësimin me 2 prill në Kongresin e SBASHK-ut dhe për ju do ta tregojnë qëndrimin e tyre me votën e tyre kurdo që do të ketë zgjedhje qendrore në Kosovë.”, ka shkruar tutje Jasharaj, duke kujtuar ditën kur është rizgjedhur kryetar i SBAShK-ut për mandat të tretë.
Ndryshe, sindikalistët e Kosovës, më 8 prill kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast kanë kërkuar nga pushteti shtesat prej 100 eurove deri në miratimin e Ligjit për Paga, zbatimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore si dhe ndryshim e Ligjit për Skemat Sociale. Në të kundërtën, ata kanë paralajmëruar se në maj do të ketë greva të përgjithshme./21Media

Back to top button