​Java e dëshmorëve në Rahovec, nis festivali kombëtar i folklorit “Anadrinia jehon”

Në nderim të Betejës së Anadrinit të 12 majit 1998, sonte në Dejnë është hapur edicioni i tretë i festivalit kombëtar të folklorit “Anadrinia jehon” si pjesë e manifestimit përkujtimor e kulturor “Java e dëshmorëve” në komunën e Rahovecit.

Kryetari Smajl Latifi ka thënë se festivali folklorik treditor “Anadrinia jehon” mbledh dashamirë të artit e kulturës popullore si pjesë e festave të Komunës së Rahovecit, ku pjesëmarrja e artistëve nga shumë vise të shqiptarisë dhe mërgata, përbën thelbin e suksesit të kësaj riviste kombëtare.

“Në këtë skenë kanë defiluar shumë artdashës dhe dashamirësia me të cilën janë pritur nga publiku i kësaj ane, na ka detyruar të jemi më të përkushtuar në mbarëvajtjen e këtij festivali. Besojmë dhe shpresojmë që mbështetja institucionale do të shtohet, sepse tashmë ky festival nuk është vetëm i fshatit Dejnë dhe vetëm i Komunës së Rahovecit, ky është festival kombëtar”, ka shkruar kryetari Latifi në një postim në Facebook.

Ai shprehu falënderimet e tij për banorët e fshatit Dejnë dhe fshatrave përreth për mikpritjen e artistëve si pjesë e kulturës kombëtare shqiptare.

“Ju urojmë paraqitje profesionale dhe suksese pjesëmarrësve të këtij edicioni, duke shprehur bindjen se shikuesit e shumtë do të kënaqen me vlerat që do të shpalosen! Lavdi dhe nderime përjetë gjithë të rënëve për liri!”, përfundon Latifi.

Back to top button