Java e hiteve shqiptare

 

Java që po lëmë pas ishte ndër më të veçantat për të gjithë dashamirët e këngës shqipe. Pas një periudhë sfiduese me pandeminë, vaksinimi i popullatës por edhe lehtësimi i masave ka nxitur shumë emra të njohur të muzikës që të publikojnë projekte të reja për të cilat kishin pasur kohë mjaftueshëm për t’i menduar dhe realizuar në mënyrën më të mirë.

Në mesin e atyre që mezi po e prisnim të vinte me një kënge të re ishte padyshim reperi, Ledri Vula, i cili më 18 maj publikoi projektin e tij të shumë pritur ”Don Mo” kënge kjo për të cilën ai veç na kishte paralajmëruar nëpërmjet rrjeteve sociale javë më parë. Kënga ritmike e zhanrit hip-hop është produkt i producentit Big Bang dhe incizimi është kryer në studion RedBox Entertainment. Ndërsa tekstin e ka shkruar vetë Ledri. Këtij projekti reperi i ka realizuar edhe videoklip në Dubai, pjesë e së cilit është modelja e njohur, Morena Taraku. Në më pak se një javë nga  publikimi i saj, kënga është klikuar mbi 2 milionë herë në “Youtube”.

Dy ditë më vonë më 20 maj, Dafina Zeqiri na njohu me këngën e saj të re ”Japa”, një këngë tipike verore e cila erdhi pak kohë pas publikimit të ”DURO” një projekt jashtëzakonisht i veçantë dhe shumë i suksesshëm i Dafinës me mbi 18 milion klikime në “Youtube”.

Kështu, për ta realizuar këngën ”Japa” këngëtarja ka bashkëpunuar me reperin Elinel për tekstin e këngës  ndërsa për realizimin e  videoklipin është përkujdesur  produksioni i Entermedias. Deri më tani kënga ka mbledhur afro 1 milion klikime në youtube dhe po pritet mirë nga fansat e artistes. Duhet cekuar po ashtu që ketë javë Dafina ka festuar edhe 14 vjetorin e karrierës së saj muzikore, e cila me këtë rast ka falënderuar fansat e saj për përkrahjen, teksa ka paralajmëruar se nuk do të ndalet kurrë. ”Faleminderit! Të gjithëve! 14 vjet! Gjithmonë e juaja! Nuk do të ndalem kurrë! Vazhdojmë!”, ka shkruar Dafina Zeqiri në rrjetin social Instagram.

Derisa ne po mendonin që Kida po bënte qejf në Dubai ajo si duket kishte kombinuar shumë mirë pjesën e pushimit dhe punës. Kështu këngëtarja e njohur gjatë kohës sa ishte në Dubai ka realizuar projektin e saj më të ri të cilin e solli  në bashkëpunim me reperin gjerman Hussein Akkouche, i njohur si Samra.

Këngën ”LILA”, deri me tani ka marr afro 1 milion klikime në “Youtube”.

Listës së artistëve të njohur shqiptar që publikuan këng këtë javë iu bashkua edhe këngëtarja, Ronela Hajati.

”Aventura” është titulli i projektit të cilin Ronela e publikoi më 20 maj. Melodinë dhe tekstin e ka bërë vetë këngëtarja, ndërsa beat-in dhe aranzhmanin Marko Polo dhe Tull Production. Kënga është publikuar në “Youtube e shoqëruar” me videoklip. Për klipin, Ronela ka bashkëpunuar me produksionin ImagineFilms.

Këtë javë që e cilësuam java e hiteve shqiptare duket se do ta përmbyllë këngëtarja, Yllka Kuçi, e cila një ditë më parë ka publikuar  projektin e ri muzikor të titulluar ”Dehem”. Muzikën e ”Dehem”, e ka punuar Valon Biba, tekstin e kanë shkruar Albatros Rexhaj, Valon Biba dhe Yllka Kuqi, ndërsa aranzhmanin e këngës e ka bërë Florent Boshnjaku. Kënga në Youtube është publikuar e shoqëruar me një videoklip të veçantë. Për klipin këngëtarja ka bashkëpunuar me produksionin ”Sekuencë”.

Ndonëse e publikuar kohë më parë në mesin e hiteve të kësaj jave padyshim ishte edhe kënga ”Karma”, me të cilën Anxhela Peristeri po prezantohet në festivalin e këngës evropiane. Prezantimi që pati në Evrovision dhe kualifikimi për në finale e  bëri që kënga të merrte shumë komente dhe vëmendje nga shqiptarët gjithandej botës. Që nga paraqitja në gjysmëfinale e deri më tani Anxhela ka grumbulluar mbi 1 milion klikime në “Youtube”./21Media

Back to top button