Vaksinat të blera nga MSh-ja dhe që kanë kushtuar 444.170 euro

Vaksinat të blera nga MSh-ja dhe që kanë kushtuar 444.170 euro

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një komuniakte për media  rikujtojnë dhe informojnë qytetarët e Kosovës se në funksion të parandalimit të gripit sezonal, MSh i ka porosituar rreth 100 000 vaksina kundër gripit (prej tyre 500 doza pediatrike), të cilat janë porositur përmes shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it.

Vaksinat e porositura pritet të arrijnë në Kosovë të premten (6 dhjetor), ndërsa shpërndarja e tyre do të fillojë javën tjetër.

“Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal. Duke pasur paraysh që vaksinat kundër gripit sezonal, të cilët sivjet do të përdoren për herë të parë janë katër shtamëshe, disa vonesa janë regjistruar si në Kosovë ashtu edhe në vendet e rajonit. Vaksinat janë të dedikuara për për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike. Vaksinat e siguruara përmes UNICEF-it janë të parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së dhe garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre”, thuhet në komunikatë.

Këto vaksina të blera nga MSh-ja dhe që kanë kushtuar 444.170 euro do t’i shpërndahen popullatës përmes IKSHKP-së dhe Njësive të vaksinimit në QKMF-të e Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka thënë se i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të Gripit sezonal./21Media