“Jemi për dialog, por nuk bëhemi pjesë e kësaj maskarade”

Hoti: Sulmet kundër LDK-së janë pika e vetme ku PAN është unik

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka ritheksuar mendimin e tij se janë pro dialogut, por jo edhe pro pjesëmarrjes në siç e quan Hoti “maskaradë”. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka bërë të ditur se ditëve të fundit janë shtuar sulmet kundër LDK-së dhe sipas tij kjo është pika e vetme ku kualicioni PAN është unik.

“Ditëve të fundit janë shtuar sulmet kundër LDK-së dhe kjo është pika e vetme ku koalicioni PAN është unik. Mirëpo ata, tani edhe me PSD nën sjetull, nuk janë unik as në strategjinë qeverisëse, as në raportet me aleatët tanë, e as në dialog me Serbinë. Lajmi i keq për këtë pozitë pa legjitimitet është se LDK nuk ka ndryshuar qëndrimet dhe si duket kjo po ju pengon atyre, prandaj kanë intensifikuar përhapjen e të pavërtetave. Ne jemi këtu dhe sa herë e shohim të nevojshme do ta përsërisim se jemi për dialog, por nuk bëhemi pjesë e kësaj maskarade. Ne nuk dialogojmë për ta ribërë shtetin e Kosovës, por punojmë që ta forcojmë dhe demokratizojmë atë.”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Më 14 janar u mbajt takimi i thirrur nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, takim në të cilin ishte paraparë të marrin pjesë presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, ekipi negociator dhe dy partitë opozitare, VV dhe LDK. Në këtë takim nuk ishin të pranishëm as VV-ja, e as LDK-ja, e madje as presidenti.

VV ka paralajmëruar më herët se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

Pas takimit, Veseli në një konferencë për media duke folur për mospjesëmarrjen e LDK-së dhe VV-së ka thënë se LDK qe 20 vjet po i fërkon duart. Veseli iu ka drejtuar LDK-së se as sdo t’i gjejë gjë as nga Gjykata Speciale./21Media

Back to top button