Jeni shumë kohë në timon? Ja si mund të ndikojë kjo në shëndetin tuaj

Shumë pak njerëz mendojnë për pasojat që drejtimi i makinës ka mbi shëndetin, por ekspertët paralajmërojnë se ky aktivitet i përditshëm mund të jetë i dëmshëm, si për shoferët profesionistë, ashtu edhe për ata të zakonshëm.
Përdorimi i shpeshtë i makinës dhe udhëtimet e gjata lidhen drejtpërdrejt me sëmundje të sistemit kardiovaskular dhe muskuloskeletor, për shkak të pozicionit të detyruar dhe lodhjes së trupit.
Mjekët theksojnë se shtylla kurrizore është një nga pjesët që vuan më shumë, pasi qëndrimi i gjatë ulur dhe pozicioni jo i duhur i trupit shkakton dhimbje të shpinës dhe ndryshime degjenerative.
Në duar, një nga problemet më të zakonshme është sindroma e tunelit karpal, e cila çon në mpirje, dhimbje dhe në raste të patrajtuara, deri te humbja e ndjesisë dhe e forcës muskulare.
Për të shmangur këto pasoja, ekspertët rekomandojnë vendosjen e sediljes në një kënd prej 15 gradësh dhe mbështetje të plotë të shtyllës kurrizore.
Pushimet pas disa orësh drejtim janë të domosdoshme, ndërsa ushtrimet e thjeshta shtrirjeje ndihmojnë për të parandaluar dhimbjet dhe lodhjen.
Shoferët me hipertension, shiatik apo probleme me venat duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, pasi qëndrimi i gjatë ulur mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve serioze si mpiksja e gjakut.
Për ta, përdorimi i çorapeve kompresive është një masë e rekomanduar.
Një tjetër rrezik shëndetësor është edhe përdorimi i pijeve energjike dhe kafeinës së tepërt, që mund të shkaktojnë aritmi dhe përgjumje.
Pirja e duhanit brenda automjetit përkeqëson situatën, pasi toksiciteti i tymit në kabinë është shumë më i lartë se në ambiente të tjera. Ajri i kondicionuar, nëse përdoret gabim, po ashtu ndikon negativisht në sytë, sinuset dhe lëkurën.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për problemet me prostatën te burrat, të cilat lidhen me uljen e gjatë dhe ngrohjen intensive të sediljes.
Nga ana tjetër, edhe sistemi tretës preket, duke sjellë probleme me kapsllëkun, frymëmarrjen dhe furnizimin e trupit me oksigjen.
Mjekët kujtojnë se shoferët duhet të shmangin gjithmonë alkoolin dhe ngrënien e tepërt para drejtimit, pasi ato ulin reflekset, përqendrimin dhe rrisin përgjumjen.
Ndërsa për ata që udhëtojnë rregullisht, rregulli kryesor është i thjeshtë: bëni pushime të shpeshta dhe kujdesuni për trupin tuaj, sepse një shëndet i dobët pas timonit është një rrezik i drejtpërdrejtë për jetën.