​Jetë mes vetmisë dhe përkujdesjes, historitë në Shtëpinë e Pleqve

Pas mureve të një objekti të ndërtuar në vitet e 60-ta, dëgjohen historitë e 54 banorëve, që për arsye të ndryshme, janë detyruar ta kalojnë pleqërinë larg familjes.

Ata jetojnë në Shtëpinë për Persona të Moshuar dhe pa përkujdesje familjare në Prishtinë, ku jeta rrjedh mes historive të dhimbshme personale, sfidave të përditshme dhe përpjekjeve institucionale për t’u ofruar banorëve kushte sa më dinjitoze.

Gjylferie Bytyçi nga komuna e Suharekës është njëra nga to. Ajo tashmë ka hyrë në vitin e dytë të qëndrimit në këtë institucion dhe është 70-vjeçare. Pa familje dhe 100 përqind e verbër, ajo ka thënë për KosovaPress, se nuk ka pasur zgjidhje tjetër.

Në festa Bytyçi është shprehur se ndihet e vetmuar që nuk ka as prindërit, as vëllezërit e as fëmijë.

Ajo ka thënë se ndonëse personalisht ndihet mirë në këtë institucion, kushtet infrastrukturore mbeten sfidë për disa nga bashkëjetueset e saj.

“Unë s’kam qenë e martuar. Edhe baba, nëna, vëllazëria më kanë vdekur. E meqë jam 100 përqind e verbër, unë s’kam pasur banesë time, shtëpi time, s’kam pasur para me paguar qiranë, as me ble banesë, as me ble shtëpi, asgjë. Edhe qysh me jetuar vetë kur je e verbër?. E ashtu që më erdhi puna gjithqysh me bërë punën me ardhur në shtëpi të pleqve.. Kemi dëshirë që me qenë pak më mirë objekti, më i ri, unë për vete e kam mirë, po ka shoqe që ju mungon banjot e sende, kështu do gjëra që ju duhen… 36:41 Unë ndihem e vetmuar që jam e vetme, që nuk kam as baba, as nënë, as vëllazëri, as fëmijë, as, veç dy motra i kam, njëra më ka vdekur, ato për Vit të Ri nuk i kam afër, nuk mund të takohem me to… Më rrinë gati edhe më bën pyetje, edhe më viziton kur jam e sëmurë, edhe të gjitha. E kam respektin shumë të mirë edhe të madh”, është shprehur ajo.

Histori të ngjashme rrëfen edhe Shejnaze Salihu, e cila tash e 15 vjet jeton në Shtëpinë e të Moshuarve dhe është 82-vjeçare. Ajo kujton kohët e para të qëndrimit si shumë të vështira.

Salihu ka një kërkesë për të ndryshuar ushqimin në këtë institucion, pasi sipas saj, është i dobët.

“Kur kam ardhur unë, shumë keq ka qenë, para 15 vjetëve, shtretërit e këqij, jorganët, pa lyer dhomat, tepër jam mërzitur.. Kur mërzitëm shumë, kur jam më së keqi më ka ardhur psikologja, për çdo ditë më ka thënë, qysh je, a je mirë? e pak më lehtë e kam pasur.. Prapë shyqyr që është kjo shtëpi e mundemi me u strehuar, kemi vend. E ashtu që, janë njerëzit e mirë, na presin mirë, na folin mirë. Kuzhina pak e dobët, ndoshta dikush e lëvdon, se u mësua gjithçka me ngrënë, ka qenë lehtë te shtëpia e vet, ku e di unë. Edhe e lëvdon, ama unë i kam thënë kryetarit, nuk ka, kuzhina është tepër e dobët”, ka thënë Salihu.

Në këtë institucion jeton edhe Nafije Ramadani, e cila ka dy vjet që është strehuar këtu. Ajo ka thënë se është pritur shumë mirë nga stafi, por pas saj fshihet një histori e rëndë familjare.

“Mirë, shumë po na presin. Psikologja, drejtoresha, krejt shumë mirë po na presin, kam ardhur për më mirë këtu, më u kënaq më. Më kanë përzënë, çika kam të martuara, dy djem i kam pasur, më kanë vdekur, i ka shkelur treni.. Qysh e kam ndjerë veten? Çfarë me bë? Zotit janë kanë e Zoti i ka marrë, jam mërzitur po çka me bë.. Unë s’kam ndejt për Vit të Ri asnjëherë këtu, më kanë marrë djemtë e vëllait”, ka thënë ajo.

Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se janë duke punuar vazhdimisht për përmirësimin e kushteve.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Adelina Sahiti, ka theksuar se objekti është i vjetërsuar, por se janë bërë investime të konsiderueshme.

Sipas saj, komuna ka plane edhe për ndërtimin e një shtëpie të re për të moshuarit, por po kërkohen donatorë për shkak të kostos së lartë të projektit.

“Aktualisht e kemi një godinë e cila i përket viteve të 60-ta, sigurisht është një objekt i vjetërsuar, po për të cilin ne në këto tre vite kemi investuar jashtëzakonisht shumë që të jetë sa më i përshtatshëm për ta, në mënyrë që edhe në vendet ku ata qëndrojnë, në dhomat ku ata e bëjnë gjumin e në hapësirat e përbashkëta që i ndajnë, të jenë sa më komode.. 5:40 Për vitin 2025, buxheti ka qenë 900 mijë euro i dedikuar për shtëpinë e të moshuarve. Pak a shumë i njëjtë do të jetë edhe për 2026-ën, dhe kështu që është një buxhet i cili do t’i përmbushë të gjitha nevojat dhe kërkesat që kanë banorët tanë. 6:02 Për 2026, planifikojmë sigurisht, ne edhe në këtë vit kemi kërkuar donacione, kemi kërkuar që të ndihmojnë sepse ne tashmë e kemi bërë një plan në aspektin arkitektonik për ndërtimin e një shtëpie të re për të moshuarit dhe jemi duke kërkuar donatorë dhe fonde të ndryshme për shkak se ka një kosto goxha të lartë”, ka thënë Sahiti.

Ndërkaq, drejtoresha e Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë, Raza Aliqkaj, ka bërë të ditur se aktualisht në këtë institucion jetojnë 54 banorë, prej tyre 32 femra dhe 22 meshkuj.

“Aktualisht numri i banorëve që jetojnë në institucionin tonë është 54 , 32 janë femra dhe 22 janë meshkuj. Në vazhdimësi është punuar dhe punohet në ngritjen e kushteve dhe të cilësisë, standardeve për banorët e institucionit tonë… 8:02 Ne kemi banorë të cilët nuk janë në gjendje të mirë fizike, kanë probleme shëndetësore, kanë probleme kronike, reumatizmale, kardiovaskulare, mirëpo, ne mundohemi me i trajtuar, kemi edhe mjek me orar të rregullt, pastaj është stafi shëndetësor 24 orë që ju ofron shërbimet nga ana e tyre… Vendosja e banorëve në institucionin tonë bëhet nga Qendrat për Punë Sociale, të cilat ndodhen në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, mirëpo, është komisioni i caktuar i cili e bën verifikimin e dokumentacionit, se a i plotësojnë kriteret ose jo dhe është edhe një panel rezidencial që direkt e shqyrton lëndën dhe bëhet vendosja e banorëve përmes këtyre komisioneve”, ka thënë Aliqkaj.

Përndryshe, në këtë institucion organizon edhe aktivitete brenda institucionit, lojëra të ndryshme, gara, terapi të punës dhe shëtitje jashtë Prishtinës.

Përkundër kushteve jo gjithmonë ideale, Shtëpia për Persona të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë, mbetet streha e fundit për shumë të moshuar, të cilët mes dhimbjes dhe kujtimeve, kërkojnë mbi të gjitha përkujdesje, dinjitet dhe pak ngrohtësi njerëzore./kp

Back to top button