Ka vdekur e veja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha

Hoxha ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj në Laprakë

Ka ndërruar jetë në moshën 99-vjeçare e veja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha. Hoxha ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj në Laprakë rreth orës 15:00 (26 shkurt).

Nexhmije Hoxha Xhuglini njihet edhe për ndikimin që ka pasur në jetën politike gjatë kohës së regjimit komunist.

Nexhmije Hoxha ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror. Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së.

Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së. Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike. Ka botuar edhe disa libra. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”.

Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit./oranews

Back to top button