Kadiu: Opozita po i bllokon dhe rrezikon 882 milionë eurot e BE-së për Kosovën

Plani i Rritjes së BE-së është një nga temat e samitit të sotëm në Bruksel, BE-Ballkani Perëndimor nga i cili Kosova ende nuk ka përfituar për shkak të krizës institucionale.
Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin, Kosovës i janë premtuar rreth 900 milionë euro, një pjesë në formë granti dhe një pjesë në formë kredie por vendi ende nuk ka marrë as parafinancimin prej 62 milionë eurosh për shkak të krizës institucionale.
Kjo pasi në Kuvend duhet të miratohen marrëveshjet që mundësojnë alokimin e këtyre mjeteve. E
pyetur nga rtv21 për këtë çështje, Qeveria në detyrë akuzoi ish-opzoitën për bllokim dhe rrezikim të fondeve të Plani të Rritjes së BE-së.
“Kosova ka qenë vendi i parë që ka prezantuar agjendën e reformave duke dëshmuar vullnetin, gatishmërinë dhe nivelin e përgatitjes për përfitim nga Plani i Rritjes. Mosvotimi në Kuvend, po sjell vonesa në alokimin e pagesës së parë nga BE. Refuzimi i opozitës për votim në Kuvend të marrëveshjes së Planit të Rritjes po i bllokon dhe rrezikon 882 milionë euro për Kosovën”, tha për RTV21, këshilltari i zëvendëskryeministri në detyrë, Klisman Kadiu.
Bashkimi Evropian vazhdimisht ka inkurajuar Kosovën që ta përshpejtojë procesin e miratimit të marrëveshjeve sa i përket Planit të Rritjes në mënyrë që të zhbllokohet pagesa e parafinancimit. Por kriza institucionale prej më shumë se dhjetë muajsh dhe zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme e kanë shtyrë miratimin e tij në Kuvend./RTV21/21Media