Kadrijaj: Ka qenë dëshirë e LVV-së që seanca të mbahet nesër

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se ka bllokadë institucionale dhe se qeveria në detyrë po merr vendime antikushtetuese.
“Arsyeja pse nuk po marrim pjesë në votim është e qartë, ka shkelje të Kushtetutës, kalimi i votimit prej votimit të hapur në votim të mbyllur është antikushtuetues, dhe ne nuk dëshirojmë të bëhemi lojëra të Lëvizjes Vetëvendosje, të shkelim Kushtetutën, është partia që më së shumti ka shkelur Kushtetutën. Që ka bërë më së shumti ligje anti-kushtetuese, që jemi detyruar t’i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, dhe ajo çfarë deputeti paraprak tha [Dimal Basha] dhe që deputetët dhe kryeministri në detyrë po na akuzojnë, bile që po bëhemi të prapambetur, duke mos e votuar një grua e cila është propozuar, por në të kundërtën ne si Aleancë kemi propozuar dy gra që janë të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kemi thënë që pa asnjë kusht i votojmë dhe po bijnë teoritë e tyre”, deklaroi Kadrijaj.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe në tentimin e 26-të. Seanca e radhës u caktua për nesër, më 5 qershor në orën 11:00.
Kadrijaj tha se një gjë të tillë e ka vendosur kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, por që sipas saj nuk ka qenë qëndrimi i partive tjera politike.
“E ka shfrytëzuar kryesuesi të drejtën e tij që brenda 48 orëve të thirrë nesër seancën. Nuk kemi rënë dakord as unë, as PDK-ja, as LDK-ja, ka qenë kryesisht dëshirë e LVV-së dhe kryesuesit të seancës… Ishte edhe kërkesë që të shtyhet, jo të premten, por edhe të shtunën, ne nuk e pranuam sepse e thotë qartë Kushtetuta që brenda 48 orëve duhet të mblidhemi në seanca deri në konstituimin e Kuvendit. Me atë nuk jemi pajtuar fare. Ndërsa, për ndryshim të orarit zotëri Dehari e ka ndryshuar pa miratimin tonë”, shtoi ajo.
Që prej fillimit të seancës konstituive, më 15 prill, deputetët janë mbledhur çdo të dytën ditë, ndërkaq kësaj radhe, pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari u konsultua me partitë politike, u vendos që vazhdimi i radhës i seancës të bëhet nesër, më 5 qershor.
Të premten, më 6 qershor është festë zyrtare, për Kurban Bajramin.