Kadrijaj: Nuk kemi votë për Albulena Haxhiun dhe as për anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar

Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Time Kadrijaj, në një intervistë për rtv21 ka bërë të ditur qëndrimin e këtij subjekti politik sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit duke thënë se deputetët e AAK-së nuk kanë votë për Albulena Haxhiun dhe as për anëtarët e kabinetit qeveritar. 

”Nesër pritet të thirret seanca ashtu sic është praktika cdo 48 orë dhe nesër është afati që duhet të thirret seanca e Kuvendit. Nese si deputet vendimi i Gjykatës na obligon që të jemi në sallë dhe të votojmë për kundër apo abstenim. Ta shohim tash se kend do ta zgjedhin për kandidat LVV-ja. Ne nuk e kemi obligim që t’ia votojmë kandidatët e LVV-së pa një marrëveshje politike apo koalicion. Jo, nuk do të ketë votë për Albulena Haxhiun dhe për asnjë anëtar të kabinetit qeveritar sepse të gjithë e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe të gjithë janë me aktakuza”.

Duke komentuar kritikat që kanë dhënë zyrtarët e LVV-së ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, deputetja Kadrijaj tha se LVV-ja nuk ka të drejtë ta bllokoj konstituimin e Kuvendit duke e pasur të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar.

‘’Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se zoti Dehari ka shkelur kushtetutën, duhet  që t’i kthehet rendit të ditës , duhet t’i kthehet votimit të hapur dhe një kandidat nuk ka të drejtë më shumë se tri herë të propozohet. Gjykata ka qartësuar se LVV-ja nuk e ka të drejtën për bllokimin e Kuvendit. Nëse e ki të drejtën e propozimi e ki pobligim sigurimin e 61 votave’’./RTV21/21Media

Back to top button