Kadrijaj për takimin në Austri: Kurti dhe Gërvalla po vizitojnë mërgimtarët për fushatë zgjedhore

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj ka reaguar pas njoftimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri për të marrë pjesë bashkatdhetarët në një “takim të veçantë” me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla Schwarz.
Kadrijaj këtë vizitë të mërgimtarëve nga Kurti dhe Gërvalla po e sheh si vizitë me qëllime të fushatës zgjedhore.
Ajo përmes një postimi në Facebook tutje thotë se Ministria e Jashtme dhe shërbimet diplomatike duhet të jenë jopartiake.
“Sa çuditshëm! Tash në kohë fushate, pas katër vitesh keqqeverisje dhe moskujdes ndaj diasporës, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla po vizitojnë mërgimtarët për fushatë zgjedhore. Nuk di çfarë do të prezantojnë para bashkatdhetarëve kjo qeveri e dështuar – qeveri që vendit i solli sanksione, asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Këtë radhë këta matrapazë po shfrytëzojnë ambasadat dhe konsullatat për publikim dhe njoftim të takimeve të VV-së. Ministria e Jashtme dhe shërbimet diplomatike duhet të jenë jopartiake e jo të shndërrohen në mekanizma për zhvillimin e fushatës elektorale të Vetëvendosjes. Mërgimtarë, mos u mashtroni!”, shkruan Kadrijaj. /21Media