Kaloni te përmbajtja kryesore

Kafeja, vezët, qumështi dhe perimet më të shtrenjta – rritje e çmimeve në Kosovë në muajin mars

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se  çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë muajit mars 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, 2024.

Sipas të dhënave të publikuara nga ASK indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) ka shënuar një rritje mesatare prej 2,9% në mars 2025, krahasuar me marsin e vitit 2024.

Siç bëhet e ditur rritja vjetore e çmimeve është shoqëruar edhe me një inflacion mujor prej 0,8%, vetëm gjatë muajit mars 2025, duke reflektuar ndikimet e vazhdueshme nga faktorë të ndryshëm të tregut dhe të mjedisit ekonomik.

Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i mallrave dhe shërbimeve në disa nga grupet dhe nëngrupet më të rëndësishme të klasifikimit COICOP. Disa nga rritjet më të theksuara përfshijnë: Kafe, çaj dhe kakao (17,1%), perime (8,7%), mish (8,3%), shërbime të transportit personal (7,6%), qumësht, djathë dhe vezë (7,1%), peme (6,7%), pije alkoolike (6,3%), gazeta, libra dhe materiale për zyra (6,2%), shërbime hoteliere (5,8%), ujë mineral, pije joalkoolike dhe lëngje (5,4%).

Ndërsa, sipas ASK-së rënie të çmimeve në disa kategori kanë pësuar lëndët djegëse të ngurta (si dru zjarri, pelet etj.) me një rënie prej -6,7%, karburantet dhe lubrifikantët për transportin personal me një rënie prej -5,0%.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button