Kajtazi: Pajisja është prodhim britanik me SIM kartë dhe internet, lehtë e verifikueshme se kujt i përket

Drejtori i portalit “Paparaci”, Vehbi Kajtazi, ka dhënë detaje në lidhje me pajisjen që i është gjetur sot në veturën e tij.
Ai përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se pajisja është prodhim britanik me SIM kartë dhe internet. Është lehtë e verifikueshme se kujt i përket.
“Siç jeni te njoftuar, sot rreth orës 10:00 paradite kam dërguar veturën për kontroll në servis. Gjatë kontrollit është zbuluar një pajisje e dyshimtë ngjitur në shasi, në anën e majtë prapa. Menjëherë kam kontaktuar Policinë e Kosovës. Pas ardhjes së një patrulle të stacionit të Graçanicës, është kontaktuar njësia kundër bombave e Policisë dhe Krimet e Rënda. Njesitët e specializuara kanë tërhequr këtë pajisje dhe kanë konstatuar së është GPS, me numër serik. Është bërë kontrolli i veturës për ndonjë mjet tjetër të dyshimtë, por nuk është zbuluar ndonjë gjë.
Nga aty kam vazhduar për në Policinë e Kosovës në Departamentin e Krimeve të Rënda për të dhënë deklaratë.
Si gazetar që kam shprehur shqetësime të vazhdueshme për perndjekje nga pushteti, kërkoj që të vertetohet se kujt i përket pajisja, kush e ka vendosur dhe a ka bazë ligjore. Unë tashme nuk ndjehem i sigurt, ndonëse nuk ua kam frikën. Po konfirmohet se nuk ka siguri juridike më. Mbase as fizike”, ak shkruar Kajtazi.
Ai tutje ka kërkuar që këtë rast ta marr Prokuroria Speciale dhe po ashtu që gjatë procesit të ekzaminimit të saj të jenë të pranishëm edhe avokatët e tij./21Media