Kalifornia shpall gjendje emergjente shkaku i lisë së majmunëve
Kalifornia të hënën në mbrëmje u bë shteti i fundit që shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të shpërthimit të lisë së majmunëve.
Në një deklaratë, Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom tha se shpallja ka për qëllim të ndihmojë në forcimin e përpjekjeve të shtetit për të luftuar virusin.
Gjendja e jashtëzakonshme lejon disa masa, duke përfshirë administrimin e vaksinave të lisë së majmunëve të miratuara nga FDA, transmeton rtv21.tv.
“Kalifornia po punon urgjentisht në të gjitha nivelet e qeverisjes për të ngadalësuar përhapjen e lisë së majmunëve, duke shfrytëzuar testimin tonë të fuqishëm, gjurmimin e kontakteve dhe partneritetet e komunitetit të forcuara gjatë pandemisë për të siguruar që ata që janë më të rrezikuar të jenë fokusi ynë për vaksinat, trajtimin dhe shtrirjen”, tha Newsom.
Shpallja vjen pasi Kalifornia ka shpërndarë më shumë se 25,000 doza vaksinash, përveç ndarjes së veçantë të vaksinave të dërguara në Los Angeles County.
Numri aktual i rasteve të virusit të lisë së majmunit qëndron në rreth 5,000 raste të konfirmuara në SHBA, me Kaliforninë dhe New Yorkun që regjistrojnë shumicën e rasteve, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Illinois vijon pak pas, me 520 raste të konfirmuara./21Media