Kallëzime penale për kryetarët e Tetovës dhe Çairit për pritjen e Albin Kurtit

(lajm i përditësuar)


Taravari: Kurti i mirëseardhur në të gjitha komunat dhe trojet shqiptare

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe drejtues i Gostivarit, Arben Taravari, ka thënë se kallëzimet penale për kryetarët e Tetovës, Bilall Kasamin dhe atë të Çairit, Visar Ganiun, për pritjen e Albin Kurtit janë të panevojshme dhe vetëm faktorizojnë dy politikanët e gjobitur.

“Mendoj se nuk kishte nevojë aspak. Nuk e di nëse ishte e qëllimshme për t’i faktorizuar. Në këtë mënyrë vetëm faktorizohen politikisht. Unë mendoj se s’ka as vepër, as asgjë tjetër për t’i thurrur në stacionet policore dhe mendoj se është e tepruar”, tha Taravari.

Taravari, ka komentuar për gazetën vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Shkup dhe Tetovë. Ai ka thënë se, Kurti është i mirëserardhur në të gjitha komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm.

“Është i mirëseardhur çdokund. Mendoj se z.Kurti dhe z.Rama janë të mirëseardhur në të gjitha trojet shqiptare. E kam thënë edhe para disa ditëve, është normale ai e zgjedh agjendën e vet, ai është kryeministër i Kosovës dhe kudo që të shkojë, do të pritet në mënyrë të ngjashem.

Taravari, ka përshëndetur emërtimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair. Ai tha se, edhe në Gostivar ka pas iniciativë për ndryshimin e emrave të rrugëve, por këto nisma kanë dështuar për shkak se nuk janë mbështetur nga këshilltarët e bashkësive jo shumicë.

“Emërtimin e rrugës Adem Demaçi e përshëndet dhe uroj që në sa më shumë komuna të kemi ndryshim të emrave të rrugëve. Edhe në Gostivar e kemi ngritur këtë iniciativë, por nuk i’a kemi dal për shkak të “Badenterit”. Uroj dhe shpresoj që në të ardhmen edhe në të ndryshojmë emrat e disa rrugëve nëpër qytetin e Gostivarit”, tha Taravari për gazetën LAJM.


Kasami: Koha e marrjes së shqiptarëve në stacione policore ka vdekur

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka reaguar pas kallëzimeve penale ndaj tij dhe kryetarit të Çairit, lidhur me tubimin e 11 gushtit, ku për vizitë atje qëndroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kasami këto i ka quajtur veprime komuniste e me qëllim frikësimi.

Në një reagim në Facebook, Kasami ka shkruar se koha e frikësimit të shqiptarëve dhe arrestimit të tyre ka vdekur.

“Komunizmi nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta”, ka shkruar ndër të tjera Kasami.

Kallëzime penale të martën janë ngritur ndaj Bilall Kasamit dhe kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Sipas Ministrisë së Panëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut kjo është bërë për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së Kurtit.

Të premten, Kurti ka qëndruar në Maqedoni të Veriut me ftesë të dy kryetarëve.

Ai ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit “Adem Demaçi” në Çair, si dhe në një përurim në Tetovë.

Pas vizitës së tij ka pasur shumë reagime, ndër të cilat edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite, për shkak të ikonografisë shqiptare të përdorur gjatë manifestimeve.


Kallëzime penale për kryetarët e Tetovës dhe Çairit për pritjen e Albin Kurtit

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për, siç ka thënë, “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, janë marrë në pyetje të martën nga Policia maqedonase, e cila e ka bërë të ditur vendimin për kallëzimet penale.

“Gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar më 11.08.2023, në rrugën ‘Ferid Murati’ në Shkup dhe në sheshin e qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

Në komunikatën me shkrim është thënë se “Policia do t’i vazhdojë kërkimet për personin që në një nga manifestimet valëviti flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’”.

Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore, neni 30, parasheh dënime prej 1.000 deri në 5.000 euro në rast se personi publik bën shkeljen e dispozitave, respektivisht nëse nuk përdor këto simbole në manifestimet e përcaktuara me dispozitat tjera ligjore.

Marrja në pyetje është konfirmuar edhe nga kryetarët e dy komunave, të cilët veprimin e autoriteteve e kanë quajtur “komunist” me qëllim “frikësimi”.

“Komunizmi këtu nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e [Arben] Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta. Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur”, ka thënë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami përmes një postimi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami.

Kurti ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë ka marrë pjesë në përurimin e një rruge në Malësinë e Tetovës.

Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës kanë folur për nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash, që do ta lidhte Tetovën me Prizrenin.

Qëndrimi i kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair, respektivisht përdorimi i ikonografisë shqiptare gjatë manifestimeve të organizuara, ka shkaktuar reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite. /REL

Back to top button