“Kam shqetësime”, përjashtohet publiku nga seanca për spiunazh ndaj Shabanit dhe Qerimit

Me kërkesë të avokatit të Bedri Shabanit, Besnik Berisha dhe aprovim nga trupi gjykues përkohësisht janë përjashtuar publiku në seancën për spiunazh.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri pasi u rikthye në sallë kanë kontaktuar me Shërbimi Korrektues në Gjilan ku është konfirmuar se i akuzuari, Shabani ka kërkuar trajtim mjekësor më 11 nëntor.
Ai tha se aktualisht janë në pritje të konfirmimit me email për gjendjen shëndetësore të Bedri Shabani.
“Gjykata menjëherë ka kontaktuar me Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ku përmes emailit ka kërkuar sqarime lidhur me gjendjen shëndetësore të akuzuarin Bedri Shabani. Menjëherë nga doktori i kësaj qendre Ngadhnjim Rexhepi kemi marr përgjigjen se i pandehuri Bedri Shabani me 11.11.2025 është lajmëruar për konsult tek mjeku i burgut ku edhe është vizituar me pretendimet si në ankesën e tij të njëjtit i është rekomanduar terapi dhe konsulta tek specialistët përkatës. Duke qenë se kjo përgjigje ishte pak e mangët gjykata edhe njëherë përmes telefonit kontakton me njësinë përkatëse në burg për t’u interesuar se a është vizituar sot tek mjeku apo jo dhe nga përgjigja përmes telefonit rezulton se edhe sot i akuzuari Shabani është vizituar tek mjeku i burgut dhe se parametrat vital kanë qenë brenda vlerave normale. Megjithatë gjykata ka kërkuar qe këtë përgjigje ta ofrojnë edhe me shkrim dhe jemi në pritje të kësaj përgjigje për ta dokumentuar”, tha ai.
I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri për gjendjen shëndetësore, i akuzuari Bedri Shabani tha se ka shqetësime shëndetësore dhe kërkoi të shtyhet seanca e sotme.
“Kam shqetësime të shumta dhe kërkoi në mënyrë humane të shtyhet edhe terapinë që jam duke e marr është e rëndë… terapinë e mora jam sikur i pirë”, tha ai.
Ndërsa, avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha tha meqenëse janë çështje të natyrës shëndetësore lus që kjo pjesë të jetë pa publicitet.
“Meqenëse janë çështje të natyrës shëndetësore lus që kjo pjesë të jetë pa publicitet. Po ndihen keq për klientin, tha ai.
Ndërsa, prokurori i rastit, Bekim Kodraliu tha se nuk e kupton për çfarë arsye të përjashtohet publiku nga seanca gjyqësore. Megjithatë, ai tha kjo çështje të mbetet në diskrecionin e Gjykatës.
“Nuk po kuptoj për çfarë arsye të përjashtohet publiku. Ne jemi jurista, nuk jemi mjekë. Me gjithë atë, konsideroj që duhet respektuar e drejta e trajtimit mjekësor, por mendoj që nuk duhet të hyjmë në këtë fazë në elaborimin e problemeve shëndetësore që ka pacienti, pasi jemi në pritje të raportit. E lë në diskrecionin e gjykatës për përjashtim të publikut”, tha ai.
Edhe avokati i Muharrem Qerimit, Betim Shala u pajtua që kjo pjesë e seancës të mbahet e mbyllur për publikun.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri aprovoi kërkesën e avokatit , Besnik Berisha.
“Trupi gjykues për propozimin e avokatit Besnik Berisha merr aktvendim aprovohet kërkesa e avokatit Besnik Berisha ashtu që përjashtohet përkohësisht publiku nga kjo çështje penale vetëm sa i përket pjesës ku do të deklarohet lidhur me gjendjen shëndetësor të të mbrojturit të tij”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, për veprën penale “Spiunazh”, transmeton KosovaPress.
Të njëjtit dyshohen se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA), mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës e Inspektoratin Policor të Kosovës.
Në viti 2024 janë arrestuar dy persona, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe. Arrestimi i tyre ishte bërë i mundur pas zbulimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).