Lajçaku takoi Vuçiqin: Ai e kupton seriozitetin e situatës

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë të sinqertë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Patëm një diskutim të hapur dhe të sinqertë për një zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte largimin e barrikadave. Ai e kupton seriozitetin e situatës”, ka shkruar Lajçak në Twitter pas një takimi që ka zhvilluar në Beograd me Vuçiqin dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Një ditë më herët, dy diplomatët perëndimorë takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Lajçak ka thënë dje se nuk preferon që barrikadat në veri të hiqen me buldozerë, por përmes rrugëve diplomatike.
Takimi vjen në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb. Ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Gjashtë barrikadat e ngritura më 10 dhjetor, që bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë aty.
Më 12 dhjetor Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të tyre.

Back to top button