Kamberi: Memorandumi i nënshkruar sot, realizim i përkujdesjes institucionale të Kosovës ndaj Luginës
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se nënshkrimi i Memorandum bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, nënkupton fillimin e realizimit të përkujdesjes institucionale të Kosovës ndaj Luginës.
Kamberi u shpreh se shqiptarët e Luginës do ta ndjenjë përkrahjen e Republikës së Kosovës përmes Këshillit Kombëtar.
“Nënshkrimi i Memorandum bashkëpunimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, nënkupton fillimin e realizimit të përkujdesjes institucionale të Republikës së Kosovës ndaj Luginës së Preshevës dhe dëshmon kredibilitetin që Këshilli Kombëtar ka ndërtuar tek faktori kombëtar. Përkrahjen e Republikës së Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar do ta ndjejnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Bashkë me Kosovën!”, ka shkruar Kamberi.
Ndryshe, Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti, priti në zyrën e tij kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, për të nënshkruar bashkë pastaj edhe një Memorandum të Bashkëpunimit.
Ky Memorandum Bashkëpunimi ka për qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginë të Preshevës./21Media