Kanada përgatitet të vendosë sanksione

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly, ka dënuar njohjen e rajoneve separatiste nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke e quajtur atë “një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”.
Joly ka thënë se Kanadaja dhe aleatët e saj do të “reagojnë me vendosmëri ndaj këtij mosrespektimi të ligjit ndërkombëtar” dhe po përgatitet të vendosë sanksione ekonomike – të veçanta nga ato që do të futeshin nëse do të ketë “ndonjë pushtim të mëtejshëm ushtarak” të Ukrainës, përcjellë rtv21.tv
“Kanadaja mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, ka shkruar ministrja në Twitter.
Putin ka urdhëruar të hënë trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës. Ky vendim ka ardhur disa orë pasi ai ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura./21Media
 

Back to top button