Kancelari austriak thotë se do të vazhdojë të mbështesë Kosovën
Kryeministri Albin Kurti, ka pranuar një letër falënderimi nga Karl Nehammer për urimin që kryeministri ia pati dërguar me rastin e zgjedhjes kancelar federal i Republikës së Austrisë.
Në letrën e tij, kancelari ka shprehur mbështetjen e shtetit austriak për Kosovën dhe ka shtuar se për të si kancelar do të jetë çështje e rëndësishme që të thellojë më tej marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
“Forumi ekonomik Kosovë-Austri, të cilit i jeni referuar, do të jetë një mundësi e mirë për ta vënë në praktikë këtë angazhim edhe në fushën ekonomike“, është shprehur kancelari austriak.
Tutje, ai duke kujtuar një vizitë pune më 28 shtator të vitit të kaluar në Prishtinë, atëkohë si ministër federal i Punëve të Brendshme, ka thënë se ka pasur mundësi të shoh nga afër dhe të bindet për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë së brendshme dhe menaxhimit të migracionit. Kosova është partner i dëshmuar dhe i besueshëm në këtë aspekt.
Austria, ka shkruar ndër tjera ai, do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në konsolidimin e pozitës së saj si anëtare e bashkësisë ndërkombëtare dhe në ndjekjen e rrugës së saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për të cilin vazhdimi i dialogut për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ketë një rëndësi të veçantë./21Media