Kapen 53 kg drogë, arrestohet 46-vjeçari

Një 46-vjeçar është arrestuar në Qafë-Thanë, pasi që dyshohet se do trafikonte me automjet lëndë narkotike, drejt Maqedonisë së Veriut.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, pas një pune hetimore disamujore, të zhvilluar për goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në vijim të zbatimit të masave në kuadër të planeve operacionale kombëtare ,”Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, në drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me DVKM Korçë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Restart”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Elton Gradocka, i arrestuar më parë për ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit, pasi u kap në vitin 2020 duke transportuar 5 emigrantë drejt Tiranës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, shërbimet e Policisë, gjetën në automjetin tip “Volkswagen” që ky shtetas drejtonte, 53.3 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako. Sasia e drogës, e cila dyshohet se do të trafikohej në drejtim të Maqedonisë së Veriut, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy celularë dhe automjetin.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale./vizionplus

Back to top button