Kapen shoferët në vijë të plotë përmes dronit të policisë

Policia Rajonale e Trafikut Rrugor sot në dy raste të ndara, në rrugën magjistrale Ferizaj-Viti, në Gërlicë, ka ndaluar dy shoferë, njëri shtetas i Kosovës dhe tjetri shtetas i huaj, të cilët me veturat e tyre kanë bërë tejkalim në vijë të plotë, duke rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacion.
Këto kundërvajtje janë identifikuar përmes dronit të policisë. Ndaj tyre policia u shqiptoi nga një gjobë për kundërvajtje sipas ligjit të komunikacionit rrugor me dënim 200 euro, dy pikë negative (vetëm për shtetasin kosovar) dhe heqje të patentë shoferit për 3 muaj.
Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit dhe mos të bëjnë tejkalime në vijë të plotë.