Katër të lënduar në një aksident në Ferizaj, një dërgohet në QKUK – Policia jep detaje

Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në Ferizaj, konkretisht në rrugën Varosh-Gërlicë.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli i cili tha se katër persona kanë pësuar lëndime trupore nga ky aksident tre prej të cilëve janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj ndërsa njëri prej të lënduarve është transportuar për trajtim QKUK.
“Ju njoftojmë se sot, më datë 25.03.2025, rreth orës 17:00, në rrugën Varosh – Gerlicë, Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me të lënduar. Në aksident janë përfshirë dy automjete me targa vendore. Përveç dëmeve materiale, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Njëri prej të lënduarve, për shkak të gjendjes shëndetësore, është transportuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Njësitë e trafikut rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e aksidentit. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, tha Veseli. /21Media