KE nga Plani i Rritjes më së shumti përfituan Shqipëria dhe Serbia, Kosova rrezikon t’i humbasë mjetet

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha RTV21 se Kosova vazhdon të mos arrijë të përfitojë mjete nga plani i rritjes i BE-së, për shkak të mos ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës.
Sipas zëdhënësit të Komisionit të vetmet shtete që nuk kanë përfituar nga Plani i rritjes vazhdojnë të mbesin Kosova dhe Bosnja Hercegovina, ndonëse Bosnja është bllokuar nga Republika Serbe, Kosova u bllokua nga vet subjektet politike si shkak i bllokadës politike.
Komisioni ngriti alarmin për rrezikun që ka Kosova t’i humbasë mjetet e BE-së.
Në përgjigjen e Komisioni Evropian për RTV21, thuhet se nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm katër prej tyre kanë përfituar mjete nga Plani i rritjes. Ndërsa më së shumti nga plani i rritjes deri më tani vlerësohet se ka përfituar shteti i Serbisë. Që nga maji i vitit 2024, Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor ka sjellë përfitime konkrete për rajonin dhe qytetarët e tij. Ne po avancojmë reformat kyçe, duke hapur rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Plani i Rritjes tani është plotësisht në zbatim.
Deri më sot, janë miratuar 6 Agjenda Reformash dhe 4 përfitues nga Ballkani Perëndimor kanë marrë parapagimin.
Më konkretisht:
• Shqipëria: në kuadër të kërkesës së parë dhe të dytë për pagesë ka marrë 99.3 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 64.5 milionë eurosh në formë parapagimi.
• Mali i Zi: në kuadër të kërkesës së parë dhe të dytë për pagesë ka marrë 18.3 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 26.8 milionë eurosh në formë parapagimi.
• Maqedonia e Veriut: në kuadër të kërkesës së parë dhe të dytë për pagesë ka marrë 27.7 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 52.5 milionë eurosh në formë parapagimi
• Serbia: në kuadër të kërkesës së parë për pagesë ka marrë 56.5 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 111.0 milionë eurosh në formë parapagimi.
• Kosova: Kosova ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet për Fondin dhe Huamarrjen, prandaj ende nuk janë disbursuar pagesa.
• Bosnje dhe Hercegovinë: BiH ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet për Fondin dhe Huamarrjen, prandaj ende nuk janë disbursuar pagesa./RTV21