Kelani: Deri më tani procesi zgjedhor është i qetë

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një lidhje të drejtpërdrejt për RTV21 ka folur për ecurinë e procesit zgjedhor, duke thënë se deri më tani procesi ka shkuar qetë dhe pa ndonjë incident. Ai tregoi edhe numrin e zyrtarëve policorë të cilët janë në qendrat e votimit sot në Kosovë.
“Vlerësuar në aspektin e sigurisë mund të themi që i gjithë procesi është duke shkuar qetë dhe pa ndonjë incident apo rast të natyrës që mund të theksohet që do të ketë ndikuar në mbarëvajtje të procesit zgjedhor. Në përgjithësi është duke kaluar një proces i qetë. Ne kemi të angazhuar një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë në nivel vendi, diku 6 mijë e 250 zyrtarë veq janë nëpër qendrat e votimit në vendvotime”, tha ai.
Kelani shtoi se deri më tani 16 informata të natyrave të ndryshme janë adresuar në Policinë e Kosovës.
“Ka pasë informacione të natyrave të ndryshme, mirëpo jo ndonjë rast penal i cili mund të ketë ndikuar në mbarëvajtje të procesit. Është raportuar për një rast në Prizren i cili ka të bëjë me asgjësim të dokumentave të votimit dhe ne në bashkëpunim dhe kordinim me Prokurorinë e kemi trajtuar si rast. Ka raste të natyrave tjera që janë trajtuar në cilësinë e informatave apo vetëm si shënime zyrtare sepse ne si Polici e Kosovës aty ku raportohet ndonjë informacion çfardo natyre qoftë ai miret menjëherë në trajtim. Mund të them se diku rreth 16 informata deri tani të natyrave të ndryshme që kanë rrjedh në Policinë e Kosovës”, deklaroi zëdhënësi i Policisë së Kosovës./21Media