Kelmendi: Për xhudon 2022-ta ishte një vit me plotë suksese

Pasi theu të gjitha barrierat duke u shpallur si xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë në vitin 2014, e pasuar tutje edhe me medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2016 dhe shumë trofe të tjera, Majlinda Kelmendi tashmë ka nisur misionin e saj të ri.
Ajo po e ushtron profesionin e trajneres së xhudos dhe është e fokusuar në zbulimin dhe përgatitjen e xhudistëve të rinj për suksese ndërkombëtare, duke pasur gjithmonë mbështetjen e trajneri më të mirë në botë, Driton Kuka.
Vitin e parë të saj si trajnere, Kelmendi e konsideron si të vështirë, por thotë se e kanë bërë të lumtur sukseset e xhudos të arritura në arenën ndërkombëtare gjatë vitit 2022.
“Në përgjithësi viti 2022 për mua ka qenë një vit me plotë sfida duke marrë parasysh që kam filluar një karrierë të re si trajnere dhe realisht fillimi si në çdo punë tjetër ka qenë i vështirë, mirëpo e kam cekur gjithmonë që jam shumë me fat që e kam Tonin afër dhe kam prej kujt të mësoj. Në përgjithësi ka pasur vështirësi, por ka pasur edhe suksese të mëdha. Jam shumë e lumtur që ekipit iu kanë bashkangjitur edhe emra të rinj. Sivjet Laura është bërë kampione evropiane, është bërë e dyta në Masters, pikë të reja olimpike, kështu që në përgjithësi ka qenë vit i suksesshëm duke marrë parasysh që edhe kemi marrë medalje në Kampionat Botëror, në Kampionatin Evropian edhe Distria është bërë e bronztë, kështu që vit i suksesshëm”, thotë Kelmendi.
Kelmendi thotë se puna me të rinjtë është bërë shumë e vështirë për shkak se rrjetet sociale po e marrin vëmendjen e tyre. E për ta tejkaluar këtë, ajo thotë se ka marrë një këshillë të artë nga Driton Kuka.
“Problemi kryesor kur kam filluar të punojë si trajnere që unë për vete kam qenë punëtore jashtëzakonisht e madhe, edhe kam pritur që edhe garuesit tjerë ta kenë atë, përderisa një ditë ka ardhur Toni ka thënë ‘hej këta nuk janë ti, nuk e kanë kokën tënde, përkushtimin tënd, fokusin, kështu që duhet secilit t’i qasesh ndryshe-ndryshe. Ta gjesh formën si ta bësh secilin veç e veç, ta jep maksimumin në stërvitje’. Kështu që realisht shumë e vështirë, ndoshta edhe fajin e kanë rrjetet sociale, shumë e vështirë me ua sjellë atë fokusin në stërvitje, mirëpo, pavarësisht kësaj, prapë se prapa po arrijmë me e nxjerrë maksimumin prej sportistëve, por realisht jo lehtë”, thotë Kelmendi.
Por, ajo është e bindur se e ardhmja e xhudos në Kosovë është e ndritur.
“Realisht kemi edhe talentë të rinj, kemi djem e vajza të cilët janë shumë të talentuar dhe që po merrem me ata, katër apo pesë orë në ditë dhe progresi tash e një vit që ia kemi filluar me u marrë me ata më seriozisht, është shumë i madh, kështu që nuk po dyshoj aspak që edhe në të ardhmen do të kemi emra të rinj ndoshta për kadetë, juniorë e pse jo edhe seniorë”, tha Kelmendi.
Për vitin 2023, Kelmendi sfidon të gjithë xhudistët. Ajo kërkon medalje në secilën garë që do të marrin pjesë.
“Cikli olimpik të shkojë sa më mirë që është e mundshme. Të marrim medalje pothuajse në secilën garë që të shkojmë sepse niveli i garuesve është i lartë dhe është shumë çudi nëse ndonjëri prej garuesve që janë në ekip të marrë mos të marrin medalje. Të mos ketë lëndime çfarë është shumë me rëndësi, lëndimet janë ndoshta pjesa më e vështirë e një sportisti, të mbajnë larg stërvitjeve, larg garave. Të mos kemi lëndime dhe përgatitjet për Lojërat Olimpike në Paris të shkojnë sa më mirë që është e mundur”, shton ajo.
Në fund, ajo jep një koment për Distria Krasniqin, xhudisten që po thyen rekorde të reja me rezultate kulminante evropiane e botërore. “Ajo është për çdo lëvdatë”, thotë Majlinda Kelmendi.
“Distria të gjithë e dimë që ka kaluar në kategorinë 52 kilogramë edhe për një vit ka arritur edhe për një vit ka arritur të bëhet e para në ranglistën botërore, diçka e jashtëzakonshme. Distria e ka xhudon shumë të mirë, shumë me ndjesi edhe është punëtore, është shumë gjakftohtë, i di qëllimet e saj edhe nuk e ka ndërprerë punën asnjëherë. Pas Lojërave Olimpike, dy javë dhe menjëherë është kthyer në stërvitje edhe e ka ditur cakun e saj, kështu që është për çdo lëvdatë”, thotë ajo.
Në vitin 2013, Majlinda renditej në vendin e parë në renditjen ndërkombëtare nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos për kategorinë 52 kilogramë, ndërsa në Kosovë, një vit më vonë u dekorua me titullin “Medalja Presidenciale e Meritave”./KP

Back to top button