“Kemi folur për dy vrasje”, dëshmitari tregon çfarë bisedoi me Granit Plavën

(Lajm i përditësuar)
Në sesionin e pasditës në seancën ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, dëgjmitari Jeton Binaku, tregoi para trupit gjykues se me të akuzuarin Plava kishte biseduar për dy raste të vrasjeve, përfshirë edhe atë të Liridona Ademajt, ku po akuzohen Murseli, Kokalla dhe Plava.
Dëshmitari Binaku tha se ka pasur një pompë të derivateve në Rakovinë të Gjakovës, në të cilin ishin gjetur çelësat e veturës me qira, të cilën e kishte përdorur Granit Plava, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas tij, Granit Plava kishte shkuar tek biznesi i tij një ditë para se të ndodhte vrasja, duke i kërkuar t’ia gjejë një veturë me qira, të cilën ia kishte gjetur dhe e kishte kthyer në të njëjtën ditë. Por, që sërish në mbrëmjen e asaj dite kishte shkuar ta marrë atë veturë Plava. Pagesën tha se e ka bërë vetë dëshmitari, e paratë ia kishte dhënë Plava.
Ai tha se të akuzuarin Plava e njeh si klient.
“Graniti e ka marrë në mbrëmje, unë në mëngjes e kam pa veturën tek pompa, tek autolarja dhe a e ka fshi, a e ka la- nuk e di, por çelësi ka mbet në pompë. Mandej kerri ka nejt nja dy ditë aty sa e di unë”, tha Binaku.
Sipas dëshmitarit, kur ishte takuar me Plavën kishte biseduar për shumë gjëra. Tha se me të kishte biseduar edhe për temën e vrasjes që kishte ndodhur atë ditë.
“Dy raste që ndodhën qato ditë, edhe ajo në Dragodan, edhe për këtë rastin këtu që ka ndodh, që po akuzohen”, tha dëshmitari.
Duke u ballafaquar me dëshminë e dhënë në Polici, Binaku trego se çfarë kishte thënë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
“Unë kam thënë, shqiptari me vra gruan e me ikë- nuk e ka traditë. Unë për shembull po të më ndodh, isha dalë vet me më vra mu, po këto janë llafe të kafeve”, u shpreh ai.
Ai pranoi se me Plavën e kishte disktuar edhe faktin se Ademaj kishte pasur shtetësi suedeze.
“Kam thënë se nëse është shtetase suedeze, do të bëhet çmos të zbulohet kjo vrasje. Kam thënë në Bërnicë ka kamera, ka me u zbulu rasti”, tha Binaku. Ai shtoi se i ka thënë se “ka shtet”.
Po ashtu, dëshmitari tha se nuk e di nëse Plava ia kishte përmend Murselin. Tha se herën e fundit, Plavën e kishte parë ditën kur e kanë arrestuar.
Binaku tha se nuk i kujtohet të ketë deklaruar në Polici se Plava i ka thënë që bashkëshorti i tani të ndjerës ka para dhe nuk po lë të zbulohet rasti. Tha se kishte vërejtur që Plava ditëve të fundit kishte qenë më i stresuar dhe kishte bërë shumë lëvizje.
Ndërkaq, dëshmitari Hasan Hasanaj i cili ishte punëtor i pompës, tha se vetura “Seat” kishte qenë e parkuar përballë rrugës ku punon. Tha se çelësat i kishin lënë në pompë dhe u kishin thënë se shkojnë ta marrin nga Renta, ndërkaq shtoi se e kishte parë Plavën duke e vozitur veturën në fjalë.
Mjeku ligjor: Liridona Ademaj u qëllua nga afërsia ekstreme
Seanca gjyqësore kundër Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës ka vazhduar me dëshminë e mjekut ligjor, Naim Uka, i cili ka dhënë detaje pas ekzaminimit, duke i përshkruar karakteristikat e lëndimeve të pësuara tek e ndjera Liridona Ademaj. Ai ka përjashtuar mundësinë që e ndjera të jetë vetëvrarë.
Mjeku ligjor, Naim Uka gjatë dhënies së dëshmisë së tij thotë se distanca e qitjes ku mbeti e vrarë Liridona Ademaj është 2 deri 5 centimetra.
“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes të cilët kanë shkaktuar djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barotit dhe, në bazë të këtyre provave mjeko-ligjore, është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri 5 cm. Përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmëputhitje për shkak të mungesës së stampimit të tytës së armës përreth vrimës hyrëse të plagës. Plaga është përshkruar se ka formë trekëndëshe e cila është e shoqëruar me thyerje të shumta kockore dhe e shoqëruar me blozë përreth”, tha ai.
Mjeku ligjor e përjashtoi mundësinë që e ndjera Liridona Ademaj të jetë vetëvrarë.
“Në rastet e ngjashme kur mungojnë të dhënat preliminare nga vendi i ngjarjes, gjatë kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, kryhen edhe ekzaminime të detajuara të shuplakave të duarve të të ndjerit apo të ndjerës. Edhe në këtë rast kemi kryer ekzaminime të dy duarve tani më të ndjerës në mënyrë që, bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave (spërklave të gjakut), është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje. Dhe mungesa e shtangimit kataliptik të gishtit tregues është provë tjetër plotësuese. Është provë ligjore që plotëson konstatimin e parë dhe nuk lë asnjë dyshim për ndonjë mundësi tjetër”, tha ai.
Gjatë marrjes së pyetjeve, prokurorja e rastit, Javorna Perlinçeviq kërkoi të dijë më shumë detaje për gjakmbledhjen në krahun e majtë që është konstatuar në raportin e obduksionit.
Mjeku i IML-së tha se kjo hematomë është shkaktuar para ose gjatë vrasjes së të ndjerës.
“Gjatë procedurave standarde të strukturave mjeko-ligjore, përveç plagëve vdekjeprurëse, ekzaminohen të gjitha dëmtimet tjera eventuale trupore dhe, në rastin konkret, gjatë ekzaminimit të jashtëm të trupit është konstatuar gjakmbledhje lëkurore – hematomë me përmasa rreth 6 x 1.5 cm në regjionin e sipërm dhe të jashtëm në krahun e majtë. Kjo gjakmbledhje është përshkruar me ngjyrim të kuqe dhe blu. Vetë përngjyrimi i tillë, bazuar në literaturë shkencore mjeko-ligjore dhe praktikë, dëshmon se kjo gjakmbledhje është shkaktuar para ose gjatë vrasjes tani më të ndjerës. Ngjyra e kuqe tregon për orarin e eritrociteve të freskëta dhe të oksigjenuara të dala nga enët e gjakut në momentin e traumatizimit. Kjo është tipike për fazën akute. Ngjyra blu është kur fillon të deoksigjenohet dhe degradohet. Përjashtohet çdo mundësi tjetër që kjo gjakmbledhje të jetë shkaktuar pas vdekjes së tani më të ndjerës”, tha ai.
Pyetje për mjekun ligjor të IML-së parashtroi edhe i akuzuari, Naim Murseli, i cili tha: “A është e vërtetë që raporti thotë se ai e ka mbajtur bashkëshorten e tij për të mos iu shmangur plumbit?
“Në kushte normale ka nevojë as për të bërë pyetje se nuk beson – një shenjë në dorë nuk ka qenë prezent në momentin e vrasjes, por prokuroria në aktakuzën e saj pohon që kjo shenjë është shkaktuar nga unë, se sipas saj kam mbajtur bashkëshorten time për të mos iu shmangur plumbit. A e vërteton kjo që unë e kam mbajtur gruan time në momentin e vrasjes?”, tha ai.
Uka tha se mjeku ligjor nuk paragjykon pozita apo situata të cilat kanë mund të jenë në momentin e vrasjes së tani më të ndjerës.
“Mjeku ligjor e ka obligim të bëjë përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor, duke i përshkruar karakteristikat e lëndimeve të pësuara, në bazë të të cilave bëhen interpretimet për prokurorinë dhe kolegjin e trupit gjykues në fatin e gjykimit. Është normale që në një raport të autopsisë të shënohet pohim i tillë”, tha ai.
Më pas, Murseli pyeti nëse gjakmbledhja në krahun e majtë ka mund të jetë vetëlëndim në tentativë për të shpëtuar Liridonën
Mjeku ligjor tha se nuk mund ta përjashtojë këtë gjë dhe as nuk është detyrë e tij.
Në fund të dëshmisë së tij, mjeku ligjor i IML-së, Naim Uka, tha se drejtimi i qitjes përforcohet nga rrjedha e gjakut në anën e majtë të të ndjerës.
“Dua të shtoj se përveç dëmtimeve që u elaboruan gjatë kësaj seance, bazuar në shikimin e vendit të ngjarjes, drejtimi i qitjes përforcohet me të dhënat tjera të rrjedhjes së gjakut në anën e majtë të trupit të të ndjerës”, tha ai.
Nga ora 13:10 do të vazhdojë seanca ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës me dëgjimin e tre dëshmitarëve të tjerë. /kp
Eksperti mjeko-ligjor: Liridona Ademaj u qëllua me armë nga një distancë rreth 2-5 cm
Eksperti mjeko-ligjor Naim Uka po deklarohet në seancën e sotme që po mbahet ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Ai tha se është konstatuar se distanca e qitjes ka qenë rreth 2 deri në 5 cm.
“Në bazë të provave mjeko-ligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet rreth 2 deri në 5 cm”, tha ai në gjykatore.
Naim Murseli dhe të tjerët janë sjellur të prangosur dhe nën masa të rrepta sigurie në gjykatë.
Nis seanca ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, dëgjohet eksperti mjeko-ligjor
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën po mbahet seanca e radhës ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë seancë, dëshminë e ka nisur eksperti mjeko-ligjor, Naim Uka.
Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt
Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Ndryshe seanca e fundit u fokusua në dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, i cili kishte kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit Naim Murseli.
Eksperti kishte deklaruar në sallën e gjyqit se nga ekzaminimi i bërë nuk janë konstatuar çrregullime të shëndetit mendor te Naim Murseli, as në formë të përhershme e as të përkohshme. Ai tha se analizat janë kryer përmes dokumenteve të lëndës, bisedave të drejtpërdrejta me të akuzuarin, si dhe përmes vëzhgimit të sjelljes së tij gjatë ekzaminimit.
Ekspertët konstatojnë se të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava s’kanë çrregullime mendore
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.