Kërcënohen qytetarët e pajisur me tabela të përkohshme
Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar informacione se qytetarët të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme janë duke u kërcënuar nga persona deri më tani të paidentifikuar.
Në një komunikatë për media thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas vendimit të MPB-së më datë 20 shtator 2021.
“Forma të tilla të kërcënimeve ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e një klime ku qytetarët ndihen të frikësuar të jetojnë dhe të veprojnë në vendin e tyre. Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, thuhet në reagim.
MPB njofton të gjithë qytetarët se kërcënimi është vepër penale dhe këto forma dhe forma tjera të kërcënimeve do të hetohen nga Policia e Kosovës dhe do të merren masa sipas ligjit.
Përkundër kësaj, MPB i fton të gjithë qytetarët që të pajisen me targa të përkohshme dhe të mos bien pre e këtyre linçimeve.
Prej vendimit për vendosjen e targave të përkohshme (20 shtator 2021) deri më sot janë lëshuar 11.500 tabela./21Media