Kërcënohet drejtori menaxhues i KEK-ut, reagon bordi

Iu bëhet thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë të ndërmarrin masat e duhura

Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) e ka marrë me shqetësim rastin e kërcënimit të Drejtorit Menaxhues, Njazi Thaçi.

Bordi i ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë të ndërmarrin të gjitha masat e duhura dhe ta hetojnë me prioritet këtë rast. Kërcënuesit të dalin para drejtësisë dhe të parandalohen raste të tilla.

“Bordi shpreh mbështetjen e plotë për drejtorin menaxhues z. Njazi Thaçi dhe ndjen keqardhje për shqetësimin që i ka ardhur nga persona të papërgjegjshëm. Nga ana tjetër Bordi i Drejtorëve të KEK-ut garanton aksionarin, Qeverinë e Kosovës dhe qytetarët se çdo konkurs dhe veprim do të mbikëqyret në detaje nga bordi. Sikur edhe në të kaluarën edhe tani i gjithë procesi i punësimit do të jetë i hapur dhe transparent. Kështu që në çdo kohë dhe në çdo moment të gjithë palët e interesuara do të kenë qasje në mënyrën e përzgjedhjes por asesi nuk do të tolerojmë që punësimet të realizohet përmes presioneve çfarëdo qofshin ato”, thuhet në reagimin e bordit.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi është kërcënuar mbrëmë në Prishtinë në lidhje me konkursin i cili është hapur në KEK. Thaçi rastin e kishte paraqitur në polici./21Media

Back to top button