Kërkesa për ndalimin e AfD, Musliu: Kosova ta merr shembullin e Gjermanisë për Listën Serbe

Kreu i Institutit Octopus, Agim Musliu, në një reagim në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se nëse Gjermania mendon ta ndalojë partinë ekstreme AfD-në, Prishtina zyrtare ka arsye shumë më të forta të shqyrtojë Listën Serbe si kërcënim serioz për Republikën e Kosovës.
KQZ-ja nuk ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit për shkak se shumica e anëtarësisë së saj kanë lidhje me Serbinë dhe kjo parti po konsiderohet si dorë e zgjatur e Aleksandar Vuçiq në Kosovë.
Musliu ka cituar zëvendës kancelarin gjerman Lars Klingbeil, i cili përmendi rishikimin e mundësisë së ndalimit të AfD-së, një partie të ekstremit të djathtë të klasifikuar tashmë si organizatë ekstremiste nga agjencitë gjermane të inteligjencës.
“Gjermania, e cila është një nga demokracitë më të konsoliduara në botë e sheh AfD-në si kërcënim serioz ndaj rendit kushtetues, për shkak të narrativit të saj nacionaliste dhe afërsisë me Kremlinin. Ndërsa, Kosova një shtet ende në proces të konsolidimit ka brenda vetes një subjekt shumë të ngjashëm me AfD, Listën Serbe, e cila funksionon si instrument i Beogradit për të cenuar dhe penguar në çdo forme shtetësinë e Kosovës”, rikujtoi Musliu.
“Ku është logjika? Një parti qe vepron brenda institucioneve të Kosovës e që punon hapur për shkatërrimin e tyre?!”
Institucionet e sigurisë të Kosovës kanë bërë me dije se njeriu i cili ka ende ndikim të fuqishëm në Listën Serbe, terroristi Millan Radoiçiq, është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, sulmet ndaj NATO-s, policisë, qytetarëve në veri, gazetarëve, përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviq, dyshimet për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc dhe shumë sulme tjera në veri, potencon Musliu.
Ai thotë se refuzimi i KQZ-së për ta certifikuar Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme lokale është një hap i domosdoshëm dhe vetëm sinjal se ky paradoks politik duhet trajtuar seriozisht.
“Organet tona të drejtësisë duhet të veprojnë urgjentisht, të hetojnë dhe të marrin masa konkrete kundër një subjekti që vepron brenda institucioneve të Kosovës duke punuar haptas për t’i shkatërruar ato.
Lista Serbe nuk e ka fshehur asnjëherë qasjen sabotuese ndaj Kosovës, fakte dhe dëshmi të shumta gjinden gjithandej që nga komunikatat e tyre publike e deri te veprimet terroriste, sabotuese e sistematike, që provokuan eskalimin e situatës në Kosovë dhe me gjerë”, nënvizon Musliu në një postim në Facebook.
Musliu thotë se Kosova duhet të merr shembull Gjermaninë, ku shteti nuk ngurron të shqyrtojë ndalimin e forcave që bllokojnë demokracinë dhe rendin kushtetues të shtetit të tyre.
Instituti “Octopus”, në maj 2025 ka publikuar analizën “Lista Serbe dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD): Ngjashmëritë dhe dallimet”, ku në detaje janë trajtuar paralelet mes Listës Serbe dhe AfD dhe rreziqet nga këto dy parti.