Kërkohen kompromise për zgjidhje në veri

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajcak, e vlerësoi me pak rezultate vizitën e tij në Kosovë dhe Serbi. Lajcak, që qëndroi në vizitë së bashku me të dërguarin amerikan, Escobar, edhe njëherë përsëriti për Qeverinë Kurti tri kërkesat për shtensionim të tensioneve në veri, për zgjedhje të parakohshme dhe kthim në proces të dialogut. I dërguari i SHBA-së Escobar ndërkohë i ka kërkuar Kosovës ta themelojë Asociacionin ndërkohë që Serbisë i kërkoi ndaljen e kundërshtimit për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndëkombëtare.
Por, Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani nuk folën gjatë ditës nëse kanë arritur kompromis me faktorin ndërkombëtar për plotësimin e kërkesave. Ish-diplomati i Kosovës, Blerim Canaj, tha se gjuha e zyrtarëve amerikanë dëshmon se Kurti e ka humbur besimin e tyre si partner.
“në politikë dhe diplomaci së pari janë urat e besimit dhe pastaj vazhdohet më punë…Kurti e ka humbur besimin për partneritet…”
Bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në dialog thotë analisti politik, Artan Muhaxhiri. Sipas tij, Qeveria nuk mund ta bllokojë procesin duke mos dhënë alternativa,
“secila Qeveria e ka të pamundur të vazhdoj punën normal me gjithë kritikat e faktorit ndërkombëtar…kjo situatë nuk mund të zgjas gjatë…Qeveria Kurti duhet të jap opsione për zgjidhje….”, tha Muhaxhiri për RTV21.
Ish-diplomati Canaj e sheh në dëm për vendin mos dëgjimin e kërkesave të SHBA-së dhe BE-së. Qasja refuzuese e Kurtit, sipas tij, ka quar faktorin ndërkombëtar të fillojë vendosjen e sanksioneve.
“kanë filluar sanksionet me anulimin e disa vizitave zyrtare, anulim të disa donacioneve të premtuara, anulim të disa bashkëpunimeve…rrezikohet anëtarësimi në KE dhe liberalizimi i vizave…”
Analisti Muahxhiri e sheh zgjidhjen edhe tek kompromiset.
“situata aktuale është në një bllokadë totale…nuk mund të shkohet me tutje pa pasur kompromise nga të gjitha anët….”
Një pjesë e opozitës e shohin si zgjidhje shkarkimin e Qeverisë Kurti. AAK-ja ka nisur një mocion kundër Qeverisë, por ende nuk ka marrë mbështetjen e plotë të partive të tjera opozitare./21Media