Kërkohet ashpërsim i ndëshkimeve për dhunuesit

 
Rasti i dënimit prej 8 muajsh për përdhunuesin e një të miture në Pejë, pasuar nga një tjetër akt dhune në një market në Prishtinë kanë shërbyer si kambana alarmi për të tërhequr edhe një herë vëmendjen ndaj fenomenit të dhunës ndaj femrave. Shoqëria civile druan se sistemi gjyqësor i Kosovës me shqiptimin e dënimeve të ulëta ndaj dhunuesve po i stimulon ata të vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe në anën tjetër dekurajon viktimat që të raportojnë rastet.
Të njëjtit kërkojnë ashpërsim të masave ndëshkimore për këto dukuri në rritje në vendin tonë.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se trupi gjykues ka aplikuar gabimisht dispozitat për rrethanat, posaçërisht lehtësuese.
Shala shprehet se një masë e tillë ndëshkimore e cila është shumë më e ulët se dënimi minimal që duhet të shqiptohet për këtë vepër penale injorojnë pasojat që mund të krijohen në shoqëri.
Shala po ashtu tha se dënimet e tilla krahas stimulimit të këtyre dukurive, dekurajon viktimat për të raportuar çfarëdo lloj dhune që ushtrohet ndaj tyre.
Tashmë kur kanë nisur thirrjet për shkarkimin e gjyqtares së këtij rasti, Florje Zatriqi, Shala nga IKD thotë se Këshilli Gjyqësor i Kosovë duhet të shqiptojë masa ndaj kësaj gjyqtareje pasi ka rrezikuar edhe besimin e qytetarëve karshi sistemit gjyqësor në vend.
Në anën tjetër, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka kërkuar për ashpërsim të masave ndëshkimore për dukuritë e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë.
Shala deklaroi për KosovaPress se dënimet e ulëta karshi atyre që shkaktojnë dhunë fizike, psikike dhe seksuale ndaj grave dhe vajzave nuk ndihmon në parandalimin e rasteve por vetëm inkurajon dhunuesit e mundshëm.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës deklaroi dënimin prej 8 muajsh e 8 ditësh për dhunuesin e 15-vjeçares e përshkruan më së miri situatën se si trajtohen gratë në Kosovë. Sipas saj viktimat e dhunës në Kosovë kanë mbetur pa përkrahjen e institucioneve.
Rrjeti i Grave të Kosovës krahas masave disiplinore pret edhe shkarkimin e gjyqtares Florije Zatriqi.
Dy muaj më parë gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Pejë, Florije Zatriqi ka dënuar një person të akuzuar për dhunim të një 15-vjeçeje me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, ndonëse sipas Ligjit dënimi i paraparë në këso raste, parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim. Gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.
Ndërsa, gjatë ditës së sotme kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka kërkuar Prokurorisë Themelore ta rishqyrtojë rastin e dhunimit të 15-vjeçares, për të cilin një person i dyshuar është dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim.
Ndaj këtij dënimi dje ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila u shpreh se këto vendime janë absurde dhe janë vetëm nxitëse për dhunuesit për të kryer përsëri këso krimesh.
E opinioni i Kosovës dje u trondit edhe me pamjen ku një burrë e rrah një grua në një market në Kosovë.

Back to top button