Kërkohet dorëheqja e guvernatorit të Virxhinias

Ai kërkon falje për fotografinë raciste, nuk e ka ndërmend të dorëhiqet

Guvernatori demokrat i shtetit amerikan të Virxhinias ka kërkuar falje për një fotografi raciste që është shfaqur në librin vjetor të shkollës së mjekësisë më 1984, në mes të thirrjeve për dorëheqjen e tij.

Guvernatori Ralph Northam tha se i vjen thellësisht keq për vendimin që ka marrë për t’u shfaqur në këtë fotografi dhe për dhimbjen që ka shkaktuar ky vendim atëherë dhe tash.

Fotografia, e cila fillimisht u publikua nga ueb-faqja konservatore Big League Politics, shfaqeshin dy persona, ku njëri kishte të ngjyrosur fytyrën me ngjyrë të zezë, ndërsa tjetri kishte të veshur robat e grupit Ku Klux Klan. Nuk ishte menjëherë e qartë se cili nga këta persona ishte Northam.

“Ajo fotografi dhe qëndrimet raciste dhe ofenduese që reprezenton, nuk e reflektojnë personin që jam sot apo mënyrën se si jam sjellur si ushtar, doctor dhe shërbyes publik. Më vjen shumë keq. Nuk mund të ndryshoj vendimet që kam marrë, e as nuk mund ta largoj dëmin që sjellja ime ka shkaktuar atëherë dhe sot, ka deklaruar Northam.

Zyrtarë të lartë demokratë në Virxhinia, por edhe senatorë demokratë kanë bërë thirrje që Northam të japë dorëheqje.

Megjithatë, në deklaratën për media, Northam ka lënë të kuptohet se ai dëshiron të vazhdojë punën e tij si guvernator, duke konfirmuar angazhimin e tij absolut për të punuar sipas pritjeve të qytetarëve të Virxhinias.

“Jam i angazhuar të vazhdoj këtë sfidë deri në fund të mandatit tim, dhe të arrij pritjet që ju i keni vendosur kur më keni zgjedhur që t’iu shërbej”, shtoi Northam.

Northam u zgjodh guvernator më 2017. Nëse ai jep dorëheqje, atëherë mandatin e guvernatorit do ta marrë Justin Fairfax, i cili më 2017, u bë afrikano-amerikani i dytë që fitoi post shtetëror në Virxhinia./21Media

Back to top button